Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u zhvillua dje ceremonia e akordimit të Medaljes së Nderit nga Ministri i Brendshëm për Drejtuesin e Zyrës për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurinë e kufijve pranë Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, Z. Dale Ott, në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar për Policinë e Shtetit.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Zv/Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Zj. Lyra Carr, Zv/Ministri i Brendshëm, Z. Avenir Peka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Hysni Burgaj, si dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Hysni Burgaj ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të ofruar për vite me radhe nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë e saj të zbatimit të ligjit, si dhe kontributin e veçantë të zyrës së drejtuar nga zoti Ott, në mbështetje të policisë shqiptare dhe veçanërisht të Policisë Kufitare dhe Migracionit.
“Vetëm trajnimet e organizuara dhe zhvilluara me strukturat kufitare nën drejtimin e Zyrës për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurinë e Kufijve, gjatë periudhës gusht 2010 e në vazhdim, vlerësohen në shumën e 123.000 dollarëve, ndërsa vlera e donacioneve në mjete e pajisje, të akorduara po për këtë periudhë, kapin shifrën e mbi 820.000 dollarëve.
Për mikun e kolegun tonë Z. Dale Ott do të ruajmë kujtimet më të mira. Serioziteti e korrektësia në punë, përvoja në zgjidhjen e problemeve, mirëkuptimi e dashamirësia e tij në raportet e bashkëpunimit, do të na shërbejnë si një shembull i shkëlqyer për të ardhmen.”, - theksoi Z. Burgaj.
Ndërkohë, Zv/Ministri i Brendshëm, Z. Avenir Peka, gjatë fjalës së tij, duke përgëzuar zotin Ott për punën e tij të shkëlqyer në mbështetje të strukturave të Policisë së Shtetit, ka falenderuar njëkohësisht Ambasadën e SHBA-së për mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer që ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë në funksion të forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri.
“Nismat e zyrës së drejtuar nga Z. Ott, qoftë në drejtimin e forcimit të kapaciteteve profesionale nëpërmjet trajnimeve, por edhe në drejtim të forcimit të kapaciteteve logjistike nëpërmjet donacioneve të ndryshme, kanë qenë një faktor i rëndësishëm në konsolidimin e performancës së shërbimeve të policisë kufitare dhe në kontrollin e kufijve.”, - theksoi ndër të tjera Z. Peka.
Duke e përgëzuar Z.Ott për këtë çmim të merituar, Zv/Ambasadorja e SHBA-së zj. Lyra CARR, u shpreh se Z.Ott vlerësohet së tepërmi nga të gjithë ata me të cilët ka bashkëpunuar gjatë punës së tij dyvjeçare në Ambasadën Amerikane në Tiranë. “Kujdesi dhe përkushtimi i tij në mbështetje të popullit shqiptar ka qenë gjithmonë i qartë në punën e tij.”, - u shpreh zj. Carr.
Ndër të tjera, Zv/Ambasadorja e SHBA-së falenderoi Drejtorin e Përgjithshëm z.Burgaj për rekomandimin e z. Ott për marrjen e kësaj medalje, si një shenjë e vlerësimit dhe e bashkëpunimit miqësor afatgjatë me Ministrinë e Brendshme.
Më pas, në emër të Ministrit të Brendshëm, zotit Dale Ott, me rastin e largimit të tij nga kjo detyrë, iu dorëzua Medalja e Nderit nga Zv/Ministri i Brendshëm, Z. Avenir Peka, me motivacionin: “Për shërbime të dalluara në mbështetje të Policisë së Shtetit, veçanërisht për kontributin e dhënë për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike të Policisë Kufitare e Migracionit”.
Z. Ott, duke falenderuar për marrjen e kësaj medalje shprehu mirënjohjen e tij për popullin shqiptar, për miqësitë e fituara në këtë vend dhe për bashkëpunimin profesional me përfaqësuesit e Policisë së Shtetit. “Ka qenë një kënaqësi për mua të bashkëpunoj me profesionistët e Policisë së Shtetit, qoftë ata të Policisë së Kufirit dhe Migracionit, ashtu edhe të shërbimeve të tjera, si RENEA.”, - u shpreh Z. Ott.