English

Berisha uron Obamën për Pavarësinë e SHBA-së

Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazhi urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama, me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA.
Midis të tjerash në mesazh thuhej:
"Nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1776 përbën jo vetëm ngjarjen më të shënuar në historinë e kombit të madh amerikan, por edhe një ndër stacionet më të rëndësishme të rrugëtimit të qytetërimit tonë dhe vlerës më të lartë të shoqërisë njerëzore, lirisë. Kurrë ndonjëherë më parë, në asnjë dokument të një rëndësie të tillë, nuk ishin sanksionuar aq solemnisht të vërtetat sublime të njerëzimit; e drejta e jetës, lirisë, barazisë dhe lumturisë individuale e detyrimi i shtetit për t’iu dedikuar atyre dhe për t’i garantuar ato, sesa në Kushtetutën e SHBA.

Ne shqiptarët festojmë këtë vit 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë si një komb i lirë, anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, që ndërton demokracinë të bazuar në vlerat e tregut dhe jep kontributin në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, por dhe në rajone të tjera të botës.

Në të gjitha arritjet historike të kombit tim, mbështetja e paçmuar, kontributi i jashtëzakonshëm dhe ndihma bujare e SHBA-ve, e ideuar dhe e mbështetur tërësisht mbi vlerat e lirisë, kanë përbërë faktor vendimtar për arritjen e tyre.
Ndaj dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për t’Ju shprehur Juve personalisht, qeverisë së SHBA-ve, Senatit dhe Kongresit Amerikan dhe kombit Tuaj të madh e mik të shqiptarëve, falënderimet e mia më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë dhe në emër të shqiptarëve, për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e paçmuar."

KOMENTE