English

Rama: Konsensusi nuk mund të lindë nga një kompromis i pakuptimtë

Edi Rama flet në mbledhjen e grupit parlamentar .


Një tjetër minator humbi jetën dje. Vazhda e fatkeqësive për familjet e varfra të minatorëve të Bulqizës, tani më është kthyer në një rutinë. Ndërkohë që prej tre muajsh kryeministri refuzon të përgjigjet me interpelancën e kërkuar për të, posaçërisht për atë që ndodh ditë për ditë në Bulqizë. Është një refuzim i cili shpreh më qartë se çdo përgjigje, që kryeministri mund të japë, murin e indiferencës së plotë që ndan shtetin me familjet që për të mbijetuar paguajnë me koston e humbjes së jetës së anëtarëve të tyre.

Fatkeqësisht, këto ndodhi shumë të hidhura vërtetojnë në vijimësi drejtësinë e analizës sonë për gjendjen në Bulqizë, kthjelltësinë e këndvështrimit tonë mbi faktin se tani më ai territor ku është përqendruar një pjesë e rëndësishme e pasurisë sonë kombëtare nuk është më në kontrollin e shtetit, po nën kontrollin e krimit të organizuar dhe domosdoshmërinë e atij ndryshimi themelor dhe thelbësor edhe për atë zonë që parashihet në draftin e programit tonë “Për një Rilindje Shqiptare”. Mbetet megjithatë me shumë rëndësi që ne të vazhdojmë të këmbëngulim, jo vetëm për interpelancën e kryeministrit, që e përsëris, është një akt i detyruar, të cilin ai refuzon ta bëjë duke shkelur mbi çdo normë dhe procedurë parlamentare, por nga ana tjetër ende më e rëndësishme, mbi domosdoshmërinë për ta rritur deri në fund ndjeshmërinë e gjithë asaj zone, jo thjesht në raport me atë që ndodh, por me atë ndryshim që ne me patjetër do bëjmë të ndodhë.

Nga ana tjetër komisioni i sigurisë në parlament ka ndërmarrë një nisëm të lavdërueshme për të ushtruar kontrollin parlamentar mbi Ministrinë e Mbrojtjes. Refuzimi i Ministrisë së Mbrojtjes për të pranuar një kontroll parlamentar të plotë dhe për të bërë transparencë mbi ato zona të errëta që tani më janë kthyer në një shqetësim shumë serioz për vetë sigurinë kombëtare, është një tjetër tregues i degradimit të vazhdueshëm të institucioneve të këtij vendi dhe i kthimit të shtetit në një makineri përfitimesh për hesapet e pushtetit. Edhe skandali më i fundit që hedh dyshime të rënda mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, për hesape vetjake, në një trafik armësh, është një tjetër kambanë alarmi për domosdoshmërinë e transparencës së plotë në aktivitetin e kësaj ministrie dhe njëkohësisht për domosdoshmërinë e një ndryshimi radikal në raportet mes shtetit si shërbëtor i të gjithëve dhe qeverisë si administratore e vullnetit të zgjedhësve, edhe kur është fjala për këtë dikaster kaq të rëndësishëm në një vend si vendi ynë që është anëtar i NATO-s.

Përditë, aktualisht, njerëzit po shohin se çfarë degradimi po ndodh me arsimin dhe konkretisht me provimin e maturës shtetërore. Shitja masive e tezave, kopjet e zbuluara masivisht flasin qartë për një degradim që përsëri ka në themelin e vet epshin e përfitimeve në çdo fushë dhe për çdo gjë, edhe në arsim, edhe për maturën shtetërore. Por, nga ana tjetër është një tjetër provë kuptimplotë e drejtësisë së analizës sonë për sistemin arsimor dhe për vetë maturën shtetërore dhe kthjelltësisë së këndvështrimit tonë që qysh në vitin 2008 kemi nënvizuar se matura shtetërore nuk mund të shërbejë më si një provim hyrës për në universitet, por vetëm si një provim dalës, për të mos kompromentuar kështu vetë maturën shtetërore edhe procesin e hyrjeve në universiteteve.

Edhe në këtë fushë, programi ynë “Për një Rilindje Shqiptare” është shprehje jo vetëm e vullnetit, por edhe e qartësisë për të shkuar në drejtimin e duhur. Megjithatë mbetet ende një punë e madhe për t’u bërë, për ta rritur ndjeshmërinë e publikut dhe të familjeve shqiptare, lidhur me domosdoshmërinë e ndryshimit radikal që ne propozojmë me alternativën tonë qeverisëse për arsimin në programin tonë “Për një Rilindje Shqiptare”.

Së fundi, por jo për nga rëndësia. Jemi përballë të njëjtës strategji, përballë të njëjtës qasje, përballë të njëjtit mekanizëm të fajësimit të përditshëm të opozitës lidhur me Reformën Zgjedhore, prioritet i prioriteteve për Familjen Europiane dhe prioritet i prioriteteve dhe për ardhmërinë e vendit në funksion të realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Akuzat e përditshme tanimë të kryeministrit, të kryetares së kuvendit dhe të të gjithë zëdhënësve të pushtetit, në këtë drejtim, dëshmojnë në fakt vullnetin e mbrapshtë për të mos e realizuar reformën. Është e qartë ajo që kërkojmë ne dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë, për publikun, për palën tjetër dhe për miqtë dhe për partnerët ndërkombëtarë, se nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri në rast se nuk ka reformim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. E kjo, nuk bazohet vetëm në eksperiencat shumë të hidhura që opozita ka me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por bazohet në gjetjet dhe rekomandimet e vetë raportit të ODIHR. KQZ është një element i këtij raporti për të cilin vëzhguesit ndërkombëtarë kanë folur shumë troç; Riformatimi i saj është një domosdoshmëri. Partia Socialiste e ka të pamundur të tërhiqet në emër të çfarëdo kompromisi kur është fjala për të riformatuar KQZ-në dhe për të krijuar kushtet që ky institucion të jetë në shërbim të publikut dhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme duke i garantuar të gjitha palët dhe jo një thertore e zgjedhjeve që kryeministri kërkon ta mbajë hapur me çdo çmim, qoftë edhe duke sakrifikuar shansin më të fundit për një përgjigje pozitive nga Brukseli në vjeshtë. Transparenca e materialeve zgjedhore është një tjetër element për të cilin ne besojmë se nuk përfaqësojmë interes pale apo një vullnet partiak kur e kërkojmë. Por, përfaqësojmë opinionin publik dhe mishërojmë vullnetin për të goditur korrupsionin e kudondodhur elektoral. Për këtë çështje opozita ka bërë një betejë të gjatë, të mundimshme për të cilën ka marrë dhe kosto me vetëdije të plotë, sepse nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri nën hijen kërcënuese të korrupsionit elektoral në çdo qendër votimi.

Ashtu sikundër ne besojmë se e gjithë administrata zgjedhore, pavarësisht se sot e gjithë ditën mbetet një administratë e balancës mes palëve politike, duhet të jetë në shërbim të ligjit dhe jo në shërbim të partive. Çdo komisioner duhet të jetë njeriu i ligjit dhe jo njeriu i partisë në tryezën e punës së tij. E, për më tepër pastaj edhe gjithë ndryshimet e bëra për këtë qëllim në Kodin Penal kthehen në një vrimë në ujë në rast se nuk shoqërohen me këtë ndryshim të domosdoshëm që nënkupton thjesht sqarimin e një neni për të cilin patëm një konflikt të gjatë me bazë vendimmarrjen arbitrare të KQZ-së. E nenit që përcakton që se çdo palë ka të drejtën e transparencës mbi procesin zgjedhor. Kemi pranuar këndvështrimin e ODHIR-it, e ekspertëve ODHIR-it që kanë mbështetur me asistencë teknike Komisionin e Reformës Zgjedhore lidhur me nevojën për të kaluar në një sistem pilot, qoftë i identifikimit, qoftë i numërimit, por nuk mund të pranojmë që ky sistem pilot të kthehet në element për të bërë çfarëdo pazari. Identifikimi i zgjedhësve është problematik, propozimi ynë besojmë se e zgjidhte problemin në rang vendi, por edhe autoriteti i ekspertizës së ODHIR-it nuk mund të anashkalohet, e pikërisht për këtë, ne kemi propozuar një draft kompromisi duke u mbështetur tek ekspertiza e ODHIR-it. Pra, le të bëjmë dy sisteme pilot në territorin e vendit për identifikimin dhe për numërimin elektronik. Këto janë katër çështje themelore për ne. Këto janë katër pika kyçe për një Reformë Zgjedhore të vërtetë dhe për një konsensus që nuk mund të lind nga një kompromis i pakuptimtë, por duhet të lindë nga një kompromis i shëndetshëm në raport me ecurinë e procesit zgjedhor.

Unë besoj se qoftë tek qasja ndaj KQZ-së, qoftë tek qasja ndaj transparencës mbi materialet zgjedhore, qoftë tek qasja ndaj identifikimit dhe numërimit bazuar në sugjerimet e ekspertëve të ODIHR-it, ne mbrojmë interesin kombëtar dhe publik. Dhe refuzoj të konsiderojmë si të mirëqenë çdo thirrje që i kërkon Partisë Socialiste të ngrihet mbi interesin partiak, sepse asnjë nga këto pika nuk është një gjenerim i interesit partiak, por mirëfilli i interesit publik. KQZ-ja vetëm pak ditë më parë dha një tjetër provë spektakolare se është një vegël e pushtetit dhe merr vendime vetëm për hesapet e pushtetit duke e bërë praktikisht të pamundur referendumin për importin e plehrave përpara zgjedhjeve të ardhshme. Ne nuk kemi asnjë arsye që të shpresojmë se kjo KQZ mund të sillet ndryshe në procesin e ardhshëm zgjedhor dhe kemi të gjitha arsyet që të besojmë se riformatimi i saj do të sillte qetësinë dhe normalitet në procesin zgjedhor.

Dëshiroj ta nënvizoj atë që ka nënvizuar bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore në emër të Partisë Socialiste, që ne jemi të gatshëm të konsiderojmë dhe të punojmë bashkë me palën tjetër për korrektimin e sistemit. Duke gjetur një kompromis të shëndetshëm që i jep mundësi të gjitha partive për të pasur arsye të besojnë se mund të përfaqësohen në parlament bazuar, sigurisht, në vullnetin e shprehur të popullit. Por, koha nuk pret, ditët ikin, njëra pas tjetrës dhe praktikisht edhe afati i ri për Reformën Zgjedhore rrezikon të digjet në mungesë të kompromisit. Partia Socialiste në të gjithë ecurinë e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore i ka bërë të gjitha hapat për të gjetur kompromis. Tani është koha dhe radha e palës tjetër që të japë kompromisin e nevojshëm dhe të mos qëndrojë në pozicionet e vjetra të pas zgjedhjeve të vitit 2009, si për KQZ-në, si për transparencën e materialeve zgjedhore, duke kërcënuar kështu integritetin e zgjedhjeve dhe duke paralajmëruar “de fakto” një proces të pabesueshëm, pa asnjë lloj besueshmërie dhe pa asnjë lloj garancie.

Dua edhe njëherë ta rikonfirmoj vullnetin tonë të plotë për të bërë konsensus përmes një kompromisi të shëndetshëm. Por dua gjithashtu të konfirmoj se ne nuk mund të bëjmë kompromis dhe ne nuk mund të arrijmë në konsensus bazuar mbi asgjënë, por vetëm bazuar mbi zgjidhjen e këtyre problemeve dhe adresimin e këtyre çështjeve që nuk burojnë nga një vullnet partiak, por burojnë nga një analizë shumë e qartë e gjithë procesit zgjedhor të bërë nga vetë raporti i ODHIR-it.

KOMENTE