English

Berisha: 100-vjetori i Pavarësisë, 100-vjetori i të vërtetave

Në mbledhjen e sotme të Komitetit për 100 vjetorin e Pavarësisë, Kryeministri Berisha kërkoi nga historianët, studiuesit, por dhe nga institucionet zyrtare të vendit, që të kontribuojnë për të bërë të mundur që shumë akte madhore historike, momente dhe procese të rëndësishme, të marrin vlerësimin e tyre real e të vërtetë.

Kryeministri u fokusua në kontributin e jashtëzakonshëm të shumë personaliteteve të huaja në Luftën Nacional Çlirimtare të shqiptarëve, veçanërisht kontributin e Britanisë së Madhe, përmes përfaqësuesve të saj elitë që ajo dërgoi në Shqipëri, në periudhën e Luftës së dytë Botërore. “Mohimi i këtij kapitulli është një nga faqet më të zeza të diktaturës komuniste, pasi qeveria e Mbretërisë së Bashkuara bëri gjithçka për të mbështetur shqiptarët në rezistencën e tyre. Është shumë e rëndësishme që në këtë 100 vjetor, këta burra dhe gra të vendeve mike sot, të vendosen në piedestalin e tyre”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri kërkoi edhe një rivlerësim të shumë figurave historike shqiptare me kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimet në Shqipëri, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, që diktatura i la në harresë ose i shpalli “të ndaluar”, si vëllezërit Kryeziu, Abaz Kupi, Mbreti i Parë Princ Vidi, Luigj Bumçi, Jak Serreqi, Dom Nikollë Kaçorri, Veli Hoxha, Vehbi Dibra, Ndoc Çoba, Mitat Frashëri e shumë e shumë të tjerë.

KOMENTE