Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të së cilës e udhëhoqi Xhavit Haliti, nënkryetari parë i Kuvendit), ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, iu përgjigj kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes (VV) për interpelancë parlamentare lidhur me procesin e privatizimit dhe të shpërndarjes së furnizimit të KEK-ut. Po ashtu, në mbledhjen e sotme u shqyrtuan edhe disa projektligje në leximin e parë, si dhe Strategjia Minerare e Republikës së Kosovës për periudhën 2012-2025.
Në hapje të punimeve të mbledhjes së sotme, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke iu drejtuar deputetëve foli për vendimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues (GND), të marrë me dy korrik 2012 në Vjenë, për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast, kryeministri i vendit kujtoi rrugën e gjatë që ka kaluar vendi ynë, vuajtjet dhe përpjekjet shekullore të popullit për realizimin e aspiratave të tij. "Ky është vendim i rëndësishëm dhe historik për shtetin dhe qytetarët e Kosovës", tha kryeministri Thaçi. Qytetarët, tha në vijim kryeministri, gjithherë kanë pasur shpresë dhe besim për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Merita më e madhe për këtë sukses, u shpreh kryeministri, u takon atyre që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sikurse çdo qytetari që jeton në Kosovë dhe në diasporë. Në vijim, kryeministri shprehu mirënjohje për punën e Zyrës së Përfaqësuesit Ndërkombëtar (ICO) për zbatimin e Planit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari. Ai, po ashtu falënderoi edhe SHBA-të, dhe të gjitha shtetet mike që kontribuan në jetësimin e përpjekëve të popullit të Kosovës. Duke iu referuar bashkëpunimit të brendshëm të forcave politike në Kosovë, kryeministri vuri në dukje bashkëpunimin e shkëlqyer, i cili ka bërë që ta bëjë Kosovën shtet të respektueshëm në rajon dhe më gjerë. Për sa i përket të ardhmes dhe përmbushjeve të obligimeve, kryeministri u shpreh: "Jam shumë i vetëdijshëm se kemi edhe shumë punë për të bërë. Ne duhet ta forcojmë sundimin e Ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve, si dhe të rrisim shkallën e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve tanë", tha kryeministri Thaçi. "Dua të ritheksoi se zotimi ynë për rritjen e gjithëpërfshirjes të të gjitha komuniteteve në Kosovë, në mënyrë të veçantë për komunitetin serb që jetojnë në veri të vendit, do të jetë i vazhdueshëm", tha kryeministri Thaçi.
Pas kësaj, mbledhja vazhdoi me interpelancën, arsyeshmërinë e së cilës para deputetëve e paraqiti përfaqësuesi i Lëvizjes VV, Visar Ymeri, i cili tha: " Distribucioni i energjisë elektrike ku përfshihen rrjeti dhe tregu i saj, janë pasuri publike e Kosovës. Ato duhet të mbeten të tilla, për shkak se furnizimi me energji elektrike është i domosdoshëm dhe e drejtë e secilit qytetar", tha Ymeri. Drejtësinë dhe domosdoshmërinë, tha në vazhdim Ymeri, nuk na e përmbush tregu, por institucionet publike shtetërore të cilat janë të popullit dhe atij i japin llogari. Në paraqitjen e tij, Ymeri ngriti një varg kritikash edhe lidhur me transparencën gjatë procesit të privatizimit. Sipas Ymerit, sektori i energjisë së tregut do të rregullohej vetëm atëherë kur të përfillej logjika e tregut në këtë sektor. Ymeri, po ashtu tha se privatizimi i ndërmarrjeve publike, është humbje e mundësisë së kontrollit demokratik.
Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, në interpelancë, shfaqi qëndrim krejtësisht tjetër. "Qeveria e Kosovës, konform Kushtetutës dhe në harmoni me vizionin e saj për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, është e përcaktuar për reforma strukturale, për funksionalizim të ekonomisë së tregut, fuqizimin e sektorit privat, vendosjen e normave të larta profesionale dhe institucionale në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe vendeve të reja të punës", tha në fillim Beqaj. Privatizimin e sektorit të shpërndarjes dhe furnizimit të KEK-ut, ministri Beqaj e vlerësoi si shumë të dobishëm, ndërsa, lidhur me transparencën gjatë procesit të privatizimit, ai njoftoi se MZHE-ja, ka themeluar dy zyra informative për të gjithë të interesuarit e involvuar në këtë proces. Në këto zyra, tha ministri, kanë mundur të informohen të gjithë qytetarët ashtu siç parasheh Ligji për qasje në dokumente publike. Ai foli edhe për përkushtimin e Qeverisë për zhvillimin e sektorit të energjisë. Lidhur me këtë, ministri tha :"Qeveria synon të arrijë tri objektiva: furnizim i rregullt me energji elektrike, prodhim me kosto të përballueshme për qytetarët dhe zbatim të standardeve ndërkombëtare në fushën e ruajtjes së ambientit". Për çmimin e shitjes për 26.3 milion euro të këtij aseti të KEK-ut, ministri Beqaj tha se këtë çmim e ka diktuar tregu, ndërsa privatizimi i tij do të ndikojë në uljen e humbjeve ekonomike dhe komerciale, të cilat deri më tash kanë qenë të pabërballueshme për qeverinë dhe KEK-un, tha Beqaj.
Pas kësaj, u deklaruan shefat e grupeve parlamentare. Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, foli Zenun Pajaziti. Ai tha se privatizimi është bërë në harmoni të plotë me ligjet si dhe Strategjinë Energjetike të miratuar nga Kuvendi. I të njëjtit mendim ishte edhe përfaqësuesja e Grupit Parlamentar ta KKR-së, Myzejene Selmani. Përfaqësuesja e Grupit parlamentar të LDK-së, Teuta Sahatqija, ai i AAK-së, Ardian Gjini dhe Florin Krasniqi nga VV-ja, ndërkaq, insistuan të faktojnë se ky privatizim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm. Qëndrimet e pozitës dhe të opozitës, ishin krejtësisht të kundërta dhe nxitën debate të shumta. Lidhur me këtë folën edhe deputetët: Halit Krasniqi, Idriz Vehapi, Muhamet Mustafa, Hykmete Bajrami, Blerta Deliu e të tjerë, ndërkaq, deputei Albin Kurti, duke qenë edhe më i ashpër në kritikat rreth këtij privatizimi vlerësoi: " Shitja e distribucionit të KEK-ut dhe shtetëndërtimi nuk shkojnë bashkë". Gjatë fjalës së tij me këtë rast, Kurti i bëri thirrje korporatës "Limak Çalik" që të mos e blejë distribucionin e KEK-ut. Këtë privatizim, tha tutje Kurti, "do ta luftojmë pa pushim, pa kursim dhe përgjithmonë".
Pas kësaj, fjalën e mori përsëri ministri Beqaj, i cili rikonfirmoi qëndrimin e tij se procesi i privatizimit të distribucionit të KEK-ut, ka qenë transparentë. Ai, po ashtu e vlerësoi të rëndësishme që edhe me këtë rast të konstatohet se ky proces ka qenë i realizuar në harmoni me standardet më të larta ndërkombëtare. Në fund të paraqitjes së tij në këtë seancë, Beqaj po ashtu tha se të punësuarëve në distribucionin e KEK-ut, u është e garantuar kontrata tre vjeçare.
Në përmbyllje të kësaj pike të rendit të ditës, deputeti Visar Ymeri (VV), lexoi mocionin, për të cilin tha se janë dakorduar edhe me dy grupet e tjera parlamentare, LDK dhe AAK. Sipas këtij mocioni, nga Qeveria kërkohej që të pezullojë procesin e privatizimit të distribucionit të KEK-ut, ndërsa nga Kuvendi kërkohej të marrë vendimin përfundimtarë për privatizim. Mocioni nuk u përkrah nga shumica e deputetëve të Kuvendit.
Pas shterimit të kësaj pike të rendit të ditës, deputetët vijuan mbledhjen me shqyrtimin e Projektligjit për mbrojtjen e bimëve dhe të Projektligjit për regjistrimin e bujqësisë. Po ashtu, në këtë mbledhje, u shqyrtua edhe Projektligji për shfuqizimin e tri neneve (37, 38 dhe 39) të kodit penal të Kosovës, i cili në rend dite hyri me propozimin e deputetit, Behar Selimi. Projektligjin për mbrojtjen e bimëve, para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci. Ky Ligj, tha ai, është në harmoni të plotë me të gjitha standardet dhe praktikat më të mira të shteteve të BE-së, ndërkaq, rregullon të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me bimët dhe prodhimeve me prejardhje nga bimët. Pas deklarimeve nga shefat e grupeve parlamentare, ky Projektligj u miratua në parim. Ministri Stavileci, prezantoi edhe Projektligjin për regjistrimin e bujqësisë, të cilin deputetët unanimisht e përkrahën.
Në vijim të mbledhjes, deputetët shqyrtuan Strategjinë Minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2012- 2025, të cilën para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Lidhur me këtë, ministri Beqaj tha se Strategjia është në harmoni me politikat qeveritare dhe qëllimi parësor i saj është zhvillimi ekonomik i vendit. Në hartimin e kësaj strategjie, tha në vijim ministri, kanë marrë pjesë ekspertë të fushave përkatëse. Duke shtjelluar përmbajtjen e kësaj Strategjie, ministri, po ashtu njoftoi se në të janë të inkorporuara rekomandimet e dala nga dëgjimet publike të organizuara nga komisioni përkatës. Gjatë deklarimit të shefave të grupeve parlamentare lidhur me Strategjinë Minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2012- 2025, u vunë në pah mospajtime në mes të subjekteve politike. Derisa përfaqësuesja e Grupit Parlamentar të PDK-së, Sala Berisha- Shala vlerësoi se Strategjia është dokument i domosdoshëm dhe i vonuar, përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Lutfi Zharku, shprehu qëndrimin se kjo Strategji nuk dallon esencialishtë nga ajo e vitit të kaluar që i është kthyes Qeverisë për riformulim. Kritik ndaj kësaj Strategjie, në emër të VV-së u deklarua edhe Visar Ymeri. Sipas Ymerit, Strategjia nuk dallon shumë as nga rregullorja e UNMIK-ut 2005/49, dhe kërkoi që t'i kthehet Qeverisë për rishqyrtim. Kundër kësaj Strategjie, në emër të AAK-së, u shpreh edhe Ardian Gjini, ndërkaq, përfaqësuesja e KKR-së, Myzejene Selmani tha se me gjithë të metat, Strategjia duhet të përkrahet, duke përkujtuar se ajo mund të rishikohet në çdo tri vite. Pas këtyre deklarimeve, Strategjia u hodh në votim, me ç'rast u mbështet nga shumica e deputetëve të pranishëm.
Deputetët në mbledhjen e sotme, po ashtu miratuan edhe Rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, lidhur me Raportin e auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.
Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për shfuqizimin e tri neneve (37, 38, 39) të kodit penal të Kosovës (pika e fundit e mbledhjes së sotme), përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare e deklaruan në favor të heqjes së këtyre neneve.