Kushtetuta e Kosovës ka lënë në pushtet përsëri Presidenten aktuale të Kosovës znj. Atifete Jahjaga.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot mori vendim në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara të Kushtetutës së Kosovës në rastin KO29/12, të parashtruar më 23 mars 2012, dhe në rastin KO48/12, të parashtruar më 4 maj 2012. Kërkesat i ka parashtruar Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Për shkak të objektit të çështjes këto kërkesa u bashkuan dhe u shqyrtuan së bashku. Amendamentet e dorëzuara në Gjykatë më 4 maj 2012 nga ana e Kryetarit të Kuvendit përfshinë edhe amendamentet e dorëzuara më 23 mars 2012.
Gjykata Kushtetuese gjeti se amendamentet e propozuara të neneve vijuese duket se pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk janë në pajtim me të:
1. Neni i ri i propozuar 85.2 (Në lidhje me kufizimin e të drejtës për të qenë kandidat për President vetëm për qytetarët që janë banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës për pesë vite)
2. Neni i ri i propozuar 86.3 (Në lidhje me nominimin për pozitën e Presidentit të Kosovës – sepse ka të bëjë vetëm me subjektet politike parlamentare të cilat e kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhje e fundit)
3. Neni i ri i propozuar 90.5 (2) (Në lidhje me kufizimin e kompetencave të një Ushtruesi të Detyrës së Presidentit për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme)
4. Neni i ri i propozuar 90.5 (3) (Në lidhje me kufizimin e kompetencave të një Ushtruesi të Detyrës së Presidentit për të emëruar gjyqtarët dhe prokurorët)
5. Neni i ri i propozuar 90.5 (5) (Në lidhje me kufizimin e kompetencave të një Ushtruesi të Detyrës së Presidentit për shpalljen e faljeve)
6. Neni i ri i propozuar 104.1 (Në lidhje me veton pezulluese të Presidentit për emërimin e gjyqtarëve të gjykatave të rregullta)
7. Neni i ri i propozuar 114.2 (Në lidhje me veton pezulluese të Presidentit për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese)
8. Neni i ri i propozuar 162.1 (Në lidhje me ndërprerjen e parakohshme të mandatit Presidentit të Republikës së Kosovës)
Vendimi i plotë i Gjykatës do t’u dërgohet palëve dhe do të jetë në dispozicion në uebfaqen e Gjykatës dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në kohën e duhur.
Vendimi është marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka vendosur se amendamentet kushtetuese të propozuara nga ana e Komisionit janë në kundërshtim me Kushtetutën.