English

Jahjaga pret guvernatorin e BQK-së Gani Gërgurin

Presidentja Jahjaga përgëzoi udhëheqësit e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për performancën e mirë dhe ruajtjen dhe konsolidimin e sistemit financiar të Kosovës dhe theksoi rëndësinë që ka përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës dhe klimës së biznesit për tërheqjen e investimeve të jashtme që do të gjeneronin vende të reja pune.

Presidentja Jahjaga, e vlerësoi nënshkrimin e Marrëveshjes së re me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe kërkoi nga udhëheqësit e BQK-së që të respektohen dhe të përmbushen të gjitha obligimet që dalin nga kjo marrëveshje ndërkombëtare.

Guvernatori Gërguri ia dorëzoi Presidentes Jahjaga Raportin vjetor për vitin 2011 dhe e njoftoi atë për parametrat e zhvillimit ekonomik në vitin e kaluar dhe trendet e këtij zhvillimi gjatë vitit 2012. Ai theksoi se BQK ka arritur një performancë shumë të mirë në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend dhe se rritja e vazhdueshme ekonomike është një dëshmi e këtij stabiliteti. Guvernatori Gërguri tha se me gjithë sfidat, si pasojë e krizës financiare globale që kanë ndikuar në veçanti në investimet e huaja dhe dërgesat e emigrantëve, rritja ekonomike do të jetë pozitive edhe këtë vit.

Në këtë takim Presidentja dhe udhëheqësit e BQK-së biseduan edhe për zhvillimin e tregut të letrave me vlerë, çështjen e normave të kredive si dhe për zhvillimet e përgjithshme dhe sfidat që ka sjellë kriza financiare globale për ekonominë tonë dhe të vendeve të Eurozonës dhe mënyrat e tejkalimit të tyre.

Presidentja Jahjaga, e ritheksoi përkrahjen e saj të plotë për zhvillimin e mëtejmë të Bankës Qendrore të Kosovës dhe ruajtjen e pavarësisë së saj.

KOMENTE