English

Qeveria shqiptare mbështet forcat opozitare siriane

Ministri i Punëve të Jashtme, Z . Edmond Panariti mori pjesë sot në punimet e Konferencës së Tretë Ministeriale të Grupit të Miqve të Popullit të Sirisë, që po zhvillohet në Paris, nën kujdesin e Ministrit të Jashtëm francez Z. Laurent Fabius.

Ky aktivitet, u përshëndet edhe nga Presidenti i Francës, Z. François Hollande. Në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Ministri Panariti, pasi shprehu ngushëllimet për jetët e humbura, u shpreh se fundi i dhunës në Siri, shtron rrugën drejt ndërtimit të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut në vend. Në fjalën e tij, ai theksoi mbështetjen për zbatimin e dokumentit të Të Dërguarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, duke e cilësuar zbatimin e tij, si një zgjidhje funksionale për procesin e tranzicionit politik sirian. Ministri Panariti nënvizoi se procesi i tranzicionit në Siri duhet të bazohet mbi vlera të reja, të cilat e kanë përjashtuar tashmë Bashar Al Assadin dhe mbështetësit e tij. Ai rikonfirmoi mbështetjen e Qeverisë Shqiptare ndaj forcave opozitare siriane, të cilat luftojnë për demokraci, dinjitet njerëzor, zhvillim dhe liri dhe u shpreh se sfidat e së ardhmes kërkojnë mbi të gjitha unitet kombëtar. Në kuadrin e punimeve të Konferencës së Tretë të Grupit të Miqve të Popullit Sirian, Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, zhvilloi një takim dypalësh me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Z. Enver Hoxhaj, ku u diskutua mbi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona, si dhe agjendën politike dypalëshe. Gjatë punimeve të kësaj mbledhjeje, Ministri Panariti zhvilloi takime me Ministrin e Jashtëm gjerman, Z. Guido Westervelle; Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm belg, Z. Dydier Reyenders, Ministrin e Jashtëm hollandez, Z. Uri Rosenthal, Z. Ministrin e Jashtëm turk, Ahmed Davutoglu, Ministrin e Jashtëm hungarez, si dhe homologë nga vende të tjera, pjesëmarrës në aktivitet.

KOMENTE