English

Bashkia e Tiranës përshpejton proçesin e hipotekimit

Bashkia e Tiranës po punon për të përmbyllur procesin e hipotekimit të të gjithë banesave të pahipotekuara, por të ndërtuara me leje në territorin e Bashkisë së Tiranës.

Aktualisht, Bashkia e Tiranës ka pajisur me lejen e përdorimit, për një sipërfaqe prej 445.000 m2, ku përfshihen 2800 apartamente banimi, ambiente tregtimi, parkimi etj. Mbi 12 mijë qytetarë janë përfitues të drejtpërdrejtë nga ky proces.

Bashkia e Tiranës ka përfunduar procedurat e saj edhe për 13 subjekte të tjera, me një sipërfaqe prej 81.983 m2, ku përfshihen 545 apartamente banimi. Përmbyllja e këtij procesi dhe dërgimi i dosjeve për hipotekimin po zvarritet nga subjektet ndërtues, të cilët nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar me ligj, edhe pse Bashkia e ka reduktuar atë në masën 50%.
Bashkia e Tiranës u bën thirrje publike sot kompanive dhe pronarëve të tyre, të plotësojnë pa asnjë vonesë të mëtejshme dosjet e objekteve të sipërpërmendur.

Bashkia e Tiranës vazhdon të ndjekë procesin e hipotekimit, deri në përfundim të tij. Nga kontaktet ditore me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, rezulton se 6 prej subjekteve që kanë marrë lejet e përdorimit nga Bashkia e Tiranës nuk kanë aplikuar për hipotekim.
Bashkia e Tiranës është e vendosur që qytetarët e kryeqytetit, të mos mbeten peng i papërgjegjshmërisë së disa subjekteve ndërtuese. Që nga dita e sotme, të gjithë subjektet e mësipërme, pronarët e tyre dhe çdo kompani tjetër e regjistruar në emër të tyre, do të futet në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës dhe do të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me të, deri në përfundim të këtij procesi sipas ligjit.





KOMENTE