Gjatë pjesëmarrjes në samitin e Dubrovnikut, kryeministri Sali Berisha ka vijuar me takimet e ndryshme me zyrtarët e lartë të shteteve pjesëmarrëse.
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me Zëvendës Kryeministrin dhe ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, z. Miroslav Lajcak.
Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në Shqipëri, e në veçanti, ecuria e reformave për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, me qëllim ecjen përpara në procesin e integrimit europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu Zv/kryeministrin Lajcak me ecurinë pozitive të reformës elektorale, nismën jashtëzakonisht të rëndësishme të mazhorancës për heqjen e imuniteteve të zyrtarëve dhe me arritjet e rëndësishme në përmbushjen e një pjese të rëndësishme të rekomandimeve, si edhe punën intensive e gjithëpërfshirëse për përmbushjen sa më parë të këtij procesi shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë.
Zv/kryeministri Lajcak vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin për përmbushjen e të gjitha rekomandimeve dhe e risiguroi Kryeministrin Berisha se Bashkimi Evropian është tërësisht i vendosur të vijojë të mbështesë e ndihmojë Shqipërinë në të gjitha përpjekjet për realizimin me sukses të të gjitha reformave të lidhura me procesin e integrimit. Ai i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e Sllovakisë për të mbështetur e ndihmuar Shqipërinë në këtë përpjekje madhore, në çdo kohë.
Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon.
Kryeministri Berisha i ripërsëriti zv/kryeministrit Lajcak dëshirën për ta mirëpritur në Tiranë, në çdo kohë, si mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve.