Ministri i Punëve të Jashtme, Z.Edmond Panariti priti sot Ministren e Shtetit të Republikës së Indisë, Peneet Kaur, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ministri Panariti pasi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Republikës së Indisë, u ndal në mundësitë e mëdha të bashkëpunimit dypalësh.
Ai i kushtoi vëmendje të vecantë marrëdhënieve në fushën ekonomike, sidomos investimeve në vendin tonë në fushën e energjitikës, turizmit, teknologjisë, por dhe bashkëpunimit në fusha të tjera, si ato të arsimit, kulturës etj., me interes të ndërsjellë.Në këtë kuadër, Ministri Panariti u ndal në nevojën e përmirësimit të kuadrit ligjor, duke vënë theksin në përfundimin e marrëveshjeve dypalëshe, të cilat janë në proces, si ato për liberalizimin e vizave, heqjen e taksimit të dyfishtë, mbrojtjen e investimeve etj. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga India, çka do t’i shërbejë konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës, forcimit të paqes dhe stabilitetit të mëtejshëm në rajonin e Ballkanit.Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke ndërmjet dy vendeve në organizatat ndërkombëtare e veçanërisht në OKB.Znj. Kaur, pasi shprehu gadishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat e lartpërmendura, i dorëzoi ndërkohë Ministrit të Jashtëm Edmond Panariti ftesën e Ministrit të Jashtëm të Indisë, Z.S.M.Krishna për vizitë zyrtare në Indi, ftesë, e cila u prit me kënaqësi.