Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në Konferencën ndërkombëtare “Fqinjët e Shqipërisë”, të organizuar në Tiranë nga Programi i Universitetit Columbia për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut dhe nga Qendra për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Washington. Kjo konferencë mbështetet nga Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Vëllezërit Rockfeller, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Bashkëkohore ne Tirane.
Të pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm, ishin David Phillips, Drejtor i Programit për Paqen, në Institutin e Studimeve për të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia, Përfaqësuesja e Institutit të Studimeve Strategjike Ndërkombëtare, znj Livia Plaks, Presidente e Projektit për Marrëdhëniet Etnike, personalitete të larta shqiptare nga vendet fqinje, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, Presidenti i Institutit të Studimeve Bashkëkohore në Tiranë Artan Hoxha, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, ministra, deputetë shqiptarë, etj.
Forcimi i bashkëveprimit rajonal, rritja e transparencës, promovimi i shoqërisë civile dhe inkurajimi i rinise së rajonit për të marrë pjesë aktivisht në zhvillimin dinamik të rajonit, ishin në fokus të konferencës. Ndërkohë që Shqipëria përgatitet për të festuar 100 vjetorin e saj, Konferenca e Tiranës shërben si një vend i rëndësishëm për të eksploruar dinamikat e ardhshme në bashkëpunimin rajonal ndërmjet shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Serbi, Greqi, në mënyrë specifike, në fushat e zhvillimit ekonomik, infrastrukturës, komunikacionit, teknologjisë dhe edukimit e kulturës.
Kryeministri Berisha, duke e vlerësuar këtë konferencë jashtëzakonisht të rëndësishme, u shpreh se shqiptarët kanë një mijë e një arsye të kenë një dialog konstant në interesin më të mirë, një debat konstant të vlerave të përbashkëta kombëtare që ata ndajnë, para së gjithash, për bashkëpunimin kulturor, si burimi kryesor që ushqen identitetin e një individi dhe të një kombi. Ai nënvizoi se nuk duhet të mendohet se si të mbahen të distancuar shqiptarët nga njëri-tjetri, por të bëhet gjithçka që kufijtë që i ndajnë ata, të jenë sa më të parëndësishëm”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se është e një rëndësie shumë të madhe çlirimi i fqinjëve tanë nga doktrinat e vjetra raciste, ksenofobiste, antishqiptare. Ai siguroi të pranishmit se qeveria shqiptare mbetet tërësisht e angazhuar për një bashkëpunim të ngushtë me fqinjët, për një bashkëpunim të ngushtë ndër-shqiptar dhe se, për qeverinë shqiptare, ky bashkëpunim është një kusht për integrimin rajonal e evropian.