Intensifikimi i marrëdhënieve në të gjitha nivelet mes Shqipërisë dhe Hungarisë ishte tema kryesore që Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli diskutoi në takimin me ambasadorin e Hungarisë në Tiranë, Janos Huszar.
“Shqipëria dhe Hungaria kanë marrëdhënieve të shkëlqyera në nivel të lartë, por është shumë e rëndësishme që të nxisim intensifikimin e marrëdhënieve edhe në nivele të tjera, sepse është në interesin e përbashkët të të dy vendeve tona,” tha ambasadori Huszar.
Zoti Huszar theksoi se 100-vjetori i Pavarësisë përkoi këtë vit edhe me 90-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Në këtë kuadër, ai nënvizoi se Hungaria mbetet një mbështetëse e fuqishme e perspektivës europiane të Shqipërisë, edhe për shkak të rolit të rëndësishëm që vendi ynë ka në rajon.
“Hungaria mbështet Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimin Europian. Vendi ynë është i interesuar për situatën në rajon dhe mendojmë se Shqipëria është një faktor i rëndësishëm,” tha ambasadori.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se është partizane e shkëmbimeve në të gjitha nivelet, pasi kjo ndihmon marrëdhëniet dhe komunikimin direkt midis dy vendeve dhe popujve.
“Është gjë e mirë që Kryeministrat dhe Kryetarët e Parlamenteve kanë marrëdhënie shumë të mira. Por, është po aq e rëndësishme që realiteti të preket direkt. Kam vënë re se ka një ndryshim të madh midis perceptimit për Shqipërinë dhe realitetit këtu,” tha zonja Jozefina Topalli.
Kryetarja e Kuvendit shprehu idenë se do ishte në interesin e të dy vendeve që bizneset hungareze të vizitonin Shqipërinë dhe të eksploronin mundësitë që vendi ofron për investime.
Duke u ndalur në çështjen e perspektivës europiane të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli u shpreh optimiste se për të ardhmen e Shqipërisë.
“Shqipëria është një faktor i fuqishëm në rajon dhe dhënia e statusit të vendit kandidat do të ishtë gjë e mirë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin. Bashkimi Europian është e vetmja alternativë për Shqipërinë,” tha Kryetarja e Kuvendit.