Si mbështetëse e shumë iniciativave në fushën e shëndetësisë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte e ftuar dje në inaugurimin e klinikës së fertilitetit në spitalin Hygeia në Tiranë.
Në fjalën e saj para të ftuarve, Kryetarja e Kuvendit theksoi se ndërsa pak vite më parë hapja e një klinike fertiliteti dukej thuajse e pamundur, sot kjo gjë është bërë realitet dhe përbën lajmin më të bukur për të gjitha çiftet që dëshriojnë të kenë një fëmijë.
“Për mua është një kënaqësi e veçantë, por edhe një privilegj që jam e pranishme në këtë eveniment kaq të veçantë dhe kaq të rëndësishëm. Pak vite më parë hapja e një klinike të tillë, një klinike fertilizimi do të dukej diçka tërësisht iluzive, e largët, e pamundur për Shqipërinë. Sot lajmi i hapjes së klinikës së fertilizimit është një lajm i rëndësishëm, është një lajmi bukur, është mundësia e fillimit të një jete të re për ato çifte që dëshirojnë të kenë fëmijë dhe që Zoti ende nuk ua ka bërë të mundur. Ndaj, unë dua të përgëzoj spitalin Hygeia, dua të falënderoj për praninë e tyre këtu mjekët që kanë ardhur për të hapur këtë qendër. Është lajmi më i bukur që ato çifte që dëshirojnë të kenë fillimin e një jete të re përmes djalit apo vajzës që do ua gëzojë jetën e tyre. Unë mendoj që kjo që është shkruar këtu “Djalë apo vajzë, e vetmja gjë që ia lëmë fatit” është tashmë një realitet. Ndaj, unë ju bëj urimet më të mira,” tha zonja Jozefina Topalli.
Më pas, Kryetarja e Kuvendit preu shiritin e përurimit dhe vizitoi ambientet e klinikës së fertilitetit ku mjekët dhe profesorët e informuan mbi metodat moderne që do të aplikohen në këtë klinikë.