Deputeti socialist Ilir Gjoni e cilësoi si një skandal antikushtetues vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të mos lejuar kontrollet e aprovuara unanimisht nga Komisioni Parlamentar i Sigurinë. Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes nuk është pronë as e Berishës dhe as e ministrit Imami, ndërsa shtoi se Partia Socialiste do të vazhdojë të kryejë kontrollet e saj. Deputeti Gjoni në deklaratën e tij për media ka ngritur edhe një pyetje për Ministrin e Mbrojtjes: “Ministri Imami para se të dalë me deklarata publike bën mirë të pyesë ish drejtuesin e SHIU-t apo bashkëshorten e tij se kush është partneri serb në një prej kompanive ku ajo zotëron aksione që tregton municione e armatime shqiptare,” u shpreh deputeti socialist.
Deklarata e plotë:
Jam sot para medias për të sqaruar edhe një herë opinionin publik mbi skandalin kushtetues që po ndodh me Ministrinë e Mbrojtjes. Jeni në dijeni se Komisioni i Sigurisë në maj të këtij viti ka marrë një vendim për të ushtruar mbikëqyrje parlamentare mbi zbatueshmërinë e ligjeve nga ky dikaster. Vendimi është marrë me konsensus e unanimitet të plotë, maxhorancë-opozitë dhe i është bërë me dije Ministrisë së Mbrojtjes në më shumë se një rast.
Refuzimet e përsëritura nga ana e drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes për të mos pranuar mbikëqyrjen parlamentare janë shenja të qarta të arrogancës së pushtetit e cila, në gjykimin tonë, buron nga një kulturë mbisunduese papërgjegjshmërie para ligjit, fodullëku korruptiv dhe pandëshkueshmërie. Për Këshillin e Miliarderëve të Saliut më shumë vlerë ka diskrecioni i tyre sesa ligji.
Është për të ardhur keq dhe njëkohësisht është alarmante që Ministria jonë e Mbrojtjes e cila përfaqëson vendin tonë në organizatën e NATO, e cila, në themel e parim bazë të saj ka transparencën, kontrollin civil mbi forcat e armatosura dhe respektimin e ligjit, të jetë institucioni më i mbyllur, më abuziv, e më i korruptuar që cënon rëndë jo vetëm imazhin e vendit dhe dëmton ndjeshëm integrimin dhe arritjen e standardeve të NATO të Forcave tona të Armatosura, por dhe vetë NATO-n si të tërë. Kjo është një kosto që shqiptarët s’kanë përse ta paguajnë.
Indiciet e qarta të dhëna nga disa burime siç janë media, vetë punonjësit e institucioneve të sigurisë, deklaratat e herëpashershme të zyrtarëve të lartë siç ishte rasti i Berishës me 21 janar kur deklaroi se i vetmi burim i informacionit kishte qenë SHIU, dhe vetë fakti që Ministria pengon mbikëqyrjen e parlamentit, na forcojnë bindjen se elementë të caktuar të kësaj ministrie kanë dalë jashtë kornizave ligjore e kushtetuese duke u përfshirë në tregti korruptive armësh e municionesh, madje ndoshta deri në përdorimin e strukturave të specializuara të kësaj ministrie për kryerjen e aktiviteteve të rënda antikushtetuesve siç mund të jenë dhe përgjimet e paautorizuara. Ministri Imami para se të dalë me deklarata publike bën mirë të pyesë ish drejtuesin e SHIU-t apo bashkëshorten e tij se kush është partneri serb në një prej kompanive ku ajo zotëron aksione që tregton municione e armatime shqiptare.
Ministria e Mbrojtjes nuk është pronë as e Saliut e as e Arbenit. Ajo i përket gjithë shqiptarëve, është simbol i unitetit tonë. Ajo ka qenë dhe duhet të jetë krenaria e vendit. Ushtarakët dhe nëpunësit e përkushtuar të këtij dikasteri nuk e meritojnë këtë damkë antikushtetuese që po u vënë drejtuesit e papërgjegjshëm të saj. Dua të garantoj qytetarët shqiptarë se do apo nuk do Ministri i Mbrojtjes apo Saliu, deputetët e Kuvendit do ta kryejnë detyrën e tyre.
Komisioni i Sigurisë edhe në mbledhjen e djeshme rikonfirmoi vullnetin e tij për të ushtruar funksionet e veta siç ja njeh ligji e Kushtetuta për ta rifutur në hullitë kushtetuese këtë institucion kaq të rëndësishëm të shtetit që është kapur nga një klan abuziv e antikushtetues.