English

Fullani: Masat antikrizë të BE-së po prekin Shqipërinë

Ardian Fullani guvernatori i Shqipërisë ishte i ftuar në përvjetorin e 20-të të kondernecës të institutit “Joint Vienna”. Gjatë deklaratës së tij ai ka vënë theksin mbi masat antikrizë që BE ka marrë për disa vende të Bashkimit Europian, po dëmtojnë vendet që janë në tranzicion siç është dhe Shqipëria

Në deklaratën e tij të plotë ai ka theksuar: "Pavarësisht nga disa episode të caktuara të çrregullimeve dhe zhbalancimeve, pjesa më e madhe e dy dekadave të fundit është karakterizuar nga një angazhim i përgjithshëm politik drejt tregut të lirë dhe reformave në mbarë rajonin e Evropës Juglindore. Për pasojë, të gjitha ekonomitë shënuan arritje të jashtëzakonshme, të cilat çuan në konvergjencë të shpejtë dhe të qëndrueshme. Këto zhvillime u mbështetën nga një angazhim i ngjashëm nga ana e sektorëve publikë dhe atyre privatë të BE-së, veçanërisht nga sektori financiar, drejt ekonomive të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore.

Shqipëria, deri tani, është një nga këto histori suksesi. Për 20 vite me radhë, vendi ynë ka ndërmarrë reforma të konsiderueshme, me qëllimin e vetëm të afrimit me familjen e bashkuar evropiane.

Nga reformat e dhimbshme të liberalizimit të gjerë të çmimeve, të pasuara nga fillimi i zbatimit të një regjimi të lirë të kursit të këmbimit dhe liberalizimi i plotë i llogarisë korrente dhe i asaj kapitale, e deri tek reformat më të sofistikuara aktuale, Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në drejtim të vendosjes së demokracisë dhe të parimeve të tregut të lirë.

Në pjesën më të madhe të kësaj periudhe, aktiviteti ekonomik ka qenë i qëndrueshëm dhe treguesit kryesorë, si inflacioni, deficiti buxhetor, kursi i këmbimit dhe norma e papunësisë, kanë pasur një ecuri pozitive, duke siguruar një mjedis makroekonomik të shëndoshë dhe të qëndrueshëm. Sistemi financiar është bërë faktor i rëndësishëm në mbështetjen e aktivitetit ekonomik.

Industria bankare, segmenti mbizotërues i sektorit financiar, ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimet e përgjithshme, duke rritur ndjeshëm ndërmjetësimin financiar. Procesi ka reflektuar dhe është dominuar nga përfshirja e grupeve të rëndësishme bankare evropiane që veprojnë në Shqipëri, si dhe në vende të tjera të Ballkanit.

Pas kësaj tabloje të shkurtër, më lejoni të bëj disa komente mbi sfidat e fundit dhe vështirësitë, me të cilat po përballen ekonomitë tona.

Viti i kaluar dhe gjysma e parë e këtij viti treguan se kriza që filloi në vitin 2008 ka arritur në fazën e saj më akute, e karakterizuar nga një lidhje e ndërsjellë midis borxhit sovran dhe krizës së sistemit bankar.

Për analogji, do të doja për përdorja titullin e filmit të paharrueshëm “Armiku tek Porta”, për të përshkruar situatën e rënduar në rajonin tonë, e veçanërisht në Shqipëri, si rezultat i gjendjes së vështirë ekonomike të fqinjit tonë jugor, Greqisë, si dhe të situatës në Itali dhe në pjesën tjetër të Evropës. Rreth 80% e shkëmbimeve tona tregtare dhe financiare kryhen me këto vende.

Pas disa vitesh të krizës ekonomike dhe financiare, ekonomitë tona kanë treguar një aftësi të jashtëzakonshme në përballjen me të. Kjo nuk është një rastësi. Përkundrazi, është testamenti i punës së kujdesshme të kryer para dhe gjatë krizës. Koordinimi i veprimeve të politikës monetare dhe asaj fiskale në mbarë rajonin dhe në Shqipëri ka qenë i suksesshëm në zbutjen e ndikimeve negative të krizës. Në veçanti, bankat qendrore kanë ndërmarrë hapa të paprecedentë përmes instrumenteve të tyre monetarë, të likuiditetit dhe të politikës makroprudente.

Shumë është bërë dhe arritur në drejtim të ofrimit të lehtësirave për tregjet financiare, duke siguruar transferimin e borxhit sovran dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Megjithatë, në periudhën afatgjatë, stabiliteti makrofinanciar është i ekspozuar ndaj disa rreziqeve të caktuara të mundshme. Rajoni i Evropës Juglindore po lufton që ta ruajë progresin relativisht të shëndoshë ekonomik dhe financiar të arritur në 20 vitet e fundit të epokës post-komuniste.

Aktualisht, rajoni karakterizohet nga një aktivitet i dobët ekonomik, i shoqëruar nga papunësi e lartë, presione të ulëta inflacioniste dhe rritje të nivelit të kredive me probleme. Të gjitha ekonomitë po operojnë nën potencialin e tyre, kryesisht për shkak të rritjes anemike të kredisë, humbjes së besimit në ekonominë e brendshme dhe aktivitetit të dobët ekonomik në BE. Dhe të fundit, por jo më pak të rëndësishmet, humbja e konkurrueshmërisë dhe ngadalësimi i reformave strukturore po veprojnë si barriera për rritjen ekonomike në periudhën afatgjatë.

Që prej fundit të vitit 2011, krahas këtyre presioneve, po përballemi me një problem të ri. Më konkretisht, i referohem uljes së shpejtë dhe të konsiderueshme të ekspozimit të grupeve të huaja bankare ndaj borxhit privat dhe atij publik, si pjesë e objektivave të tyre të tërheqjes së shpejtë nga ekspozimi i borxhit përkundrejt sektorit privat dhe atij publik, apo siç njihet ndryshe deleveraging. Ky proces nuk u arsyetua mbi gjendjen në Shqipëri, por u imponua në mënyrë të papritur nga jashtë, duke krijuar vështirësi të konsiderueshme për financimin e borxhit publik, si dhe për konsumin privat dhe veprimtaritë e investimit. Të gjitha këto implikime negative mund të cenojnë më tej stabilitetin financiar dhe atë fiskal.

Besoj se tërësia e masave të fundit për forcimin e stabilitetit financiar në vendet e Eurozonës ka marrë formën e një përqasjeje të një ekonomie të mbyllur. Këto masa nuk kanë konsideruar në mënyrë të mjaftueshme implikimet e mëdha në vendet evropiane në zhvillim.

Në përgjithësi, përmbushja e rekomandimeve të EBA-s lidhur me zbatimin e politikave, që kanë rezultuar në tërheqjen e shpejtë ndaj ekspozimit të borxhit përkundrejt sektorit privat dhe atij publik, në nivel grupi në Eurozonë, ka krijuar probleme të mëdha në nivel filialesh në ekonomitë me treg në zhvillim. Kështu, ajo ka ndikuar në perspektivat për rritjen ekonomike dhe në besimin si në nivel grupi, ashtu dhe në nivel të ekonomive lokale. Ajo çfarë dua të them është se barra financiare e këtyre rregullave nuk ndahet proporcionalisht midis vendeve të origjinës dhe atyre pritëse, dhe midis vendeve të Eurozonës dhe atyre evropiane në zhvillim.

Ky jo-proporcionalitet është më i madh në ato vende me ekonomi në tranzicion ku ndërmjetësimi financiar është mbështetur pothuajse ekskluzivisht në burime të brendshme. Për shembull, në fund të vitit 2008, stoku i përgjithshëm i kredisë për ekonominë në Shqipëri mbulonte vetëm 62% të totalit të depozitave.

Stoku i kredisë në valutë u financua pothuajse tërësisht nga totali i depozitave në valutë, ndërkohë që linjat e kredisë nga bankat mëma për filialet dhe degët e tyre kanë qenë në nivele të papërfillshme. Në parim, ndërmjetësimi financiar është financuar gjithmonë në tregjet e brendshme. Ai nuk ka imponuar kufizime financiare në bilancin e bankës mëmë, por megjithatë, ne na u desh të mbanim një barrë që duket e padrejtë.

Në fakt, si rezultat i interpretimit të rregullores së EBA-s, një nga bankat e huaja që operon në Shqipëri e uli ekspozimin ndaj borxhit të qeverisë shqiptare me 3 pikë përqindjeje të PBB-së brenda rreth një periudhe tremujore. Këto veprime shkaktuan zhbalancime në nivelin e likuiditetit në tregun ndërbankar, të cilat nuk mund të zgjidheshin në një kohë të shpejtë për shkak të problemeve strukturore.

Këto zhbalancime u shoqëruan me rritje të normës së interesit për letrat me vlerë të borxhit të qeverisë, duke kufizuar mekanizmin e transmetimit të politikës monetare.

Ulja e ekspozimit ndaj letrave me vlerë të borxhit të qeverisë nuk përkon me një rritje të ngjashme të ekspozimit ndaj kredisë për sektorin privat, duke kontribuar në një rritje më të ulët të kredisë. E gjithë kjo vjen në një kohë kur mekanizmat e mundshëm absorbues (në drejtim të hapësirës fiskale) dhe besimi i publikut në ekonomi janë ulur, duke mos lënë hapësira shtesë për stimuj të shtuar ekonomikë.

Nga ana tjetër, masa të caktuara “kreative” për stimulimin e kredisë dhe të rritjes ekonomike përmes zbatimit të një politike monetare jotradicionale dhe kërkesave mbikëqyrëse më të lehtësuara janë potencialisht të rrezikshme. Në një mjedis tejet të pasigurt ekonomik, ato mund të stimulojnë përkeqësimin e mëtejshëm të bilancit të bankave, pa pasur ndikim të madh mbi aktivitetin ekonomik. Kjo është dhe sekuenca e problemeve aktuale ekonomike, me të cilat po përballet mbarë rajoni ynë.

Në përgjithësi, ndërsa shumë prej masave të ndërmarra nga autoritetet evropiane në tre vitet e fundit kanë qenë të nevojshme dhe të rëndësishme, ato kanë dhënë përshtypjen sikur janë ndërmarrë vonë, pa shumë entuziazëm dhe me hezitim ndaj një përqasjeje “më shumë Evropë”, si dhe duke mos konsideruar siç duhet ndikimin mbi vendet fqinje.

Dhe më e rëndësishmja, këto masa nuk kanë frenuar ndikimin negativ afatmesëm të krizës financiare në aktivitetin ekonomik, duke nxitur kështu nevojën për një balancë më të mirë dhe në kohë midis masave “shtrënguese” dhe atyre të “pro-rritjes”.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Në vizionin tonë, integrimi përfaqëson një udhëtim në mes miqsh dhe partnerësh drejt një objektivi ose destinacioni të përbashkët.

Duke qenë se ekonomitë tona po afrohen gjithnjë e më tepër me njëra-tjetrën dhe për shkak se sistemet tona financiare duhen parë si një i tërë, ne besojmë se duhet të jemi të përgatitur dhe të gatshëm për të ndarë si përfitimet, ashtu dhe kostot e këtij procesi. Ne jemi tërësisht të vetëdijshëm për përfitimet dhe tashmë, i kemi shijuar frytet e tyre.

Në të njëjtën kohë, po bëhemi të vetëdijshëm për kostot e mundshme të këtij procesi, të cilat vijnë kryesisht nga goditjet asimetrike dhe veprimet e pakoordinuara politike. Për këto arsye, përfitoj nga kjo mundësi për t’u bërë një apel të gjithë vendimmarrësve përkatës të BE-së, që të konsiderojnë, me po të njëjtën vëmendje, ndikimin e vendimeve të tyre në ekonomitë që gjenden në procesin e konvergjencës. Ne gjendemi në të njëjtën varkë dhe besoj se duhet të vozisim në të njëjtin drejtim.

Duke hedhur vështrimin drejt vendeve evropiane me ekonomi në zhvillim, vërejmë se ekziston një nevojë e madhe për të lidhur politikat e mëparshme që lehtësuan flukset hyrëse të kapitalit në ekonomitë e rajonit me masa që do të siguronin vazhdimësinë e likuiditetit të nevojshëm, në momentin që këto flukse ndalojnë ose ndryshojnë drejtim. Vendet tona duhet të përfitojnë marrëveshje “swap” ose të ngjashme, me qëllim që të na mundësohet përfitimi i likuiditetit afatshkurtër në valutë.

Për shkak të ndërlidhjeve të sistemeve tona financiare, mendoj se kjo çështje meriton vëmendje më të madhe në të ardhmen.

Në mënyrë të veçantë, partnerët tanë, institucionet ndërkombëtare të zhvillimit dhe fondet financiare duhet të inkurajojnë dhe lehtësojnë axhendën komplekse të reformave dhe të rritjes ekonomike që mbështet procesin e konvergjencës. Ne duhet të krijojmë stimujt e duhur për vendimmarrësit dhe agjentët ekonomikë në vendet me ekonomi në zhvillim.
Konvergjenca, në vetvete, është një proces strukturor. Për këtë arsye, të gjitha institucionet e zhvillimit duhet të ruajnë dhe të rrisin mbështetjen për rritje ekonomike dhe stabilitet në rajon. Ne duhet të nxjerrim mësimet e duhura nga kriza: dobësitë e identifikuara duhet t’i shndërrojmë në prioritete të zhvillimit dhe t’i integrojmë në agjendën tonë të rritjes për të ardhmen.

Pyetjet që lindin natyrshëm janë: Cili është modeli më i mirë ekonomik? Cilat burime do të financojnë përmirësimin e këtyre ekonomive? Si do të arrihet konvergjenca e këtyre ekonomive dhe si do të sigurohet punësimi?

Ekonomitë tona janë të vogla, marrë veç e veç. Megjithatë, ne duhet të shikojmë tablonë e madhe dhe të kuptojmë se rajoni ynë, i marrë si një i tërë, përfaqëson një treg të madh dhe vital.
Besoj se duke punuar së bashku si partnerë, ne mund të korrim suksese." ka përfunduar fjalën e tij në konferencë Guvernatori Fullani.

KOMENTE