English

Imami: Jo kontroll punëtor në ministri si në kohën e komunizmit

Ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami iu përgjigj në Parlament sulmeve të opozitës për mos lejimin e kontrollit parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe shumë çështjeve të tjera të ngritura nga Partia Socialiste. Ministri i Mbrojtjes tha se është i gatshëm t’i nënshtrohet çdo lloj kontrolli parlamentar, i cili është në përputhje me procedurën, por ai theksoi se opozita nuk është e interesuar për kontroll, por për përplasje. “Nuk do të ketë kontroll punëtor në asnjë shumicë dhe me asnjë opozitë në Shqipëri. Shqipëria është një vend demokratik ku sundon procedura.
Në mënyrë të vijueshme, z. Ruçi, Komisioni Parlamentar e ka ushtruar dhe unë kam patur gatishmërinë e plotë në respekt të funksionit të Parlamentit, të atij komisioni dhe të deputetëve të të gjitha partive, që të raportoj në vijimësi për të gjitha problematikat e këtij Komisioni. Po ashtu, sikurse i jam përgjigjur me shkrim pyetjeve të veçanta të kryetarit të Grupit Socialist, nënkryetarit dhe anëtarëve socialist të këtij Komisioni. Por, nuk mund të ndërtohet ndryshe kontrolli përveçse mbi bazën e procedurave, mbi bazën e vendimeve. Në qoftë se disa deputetë, të cilësdo parti qofshin, qoftë edhe të Partisë Demokratike, nesër në mëngjes do të dëshirojnë të futen në cilëndo ministri për të ushtruar kontroll, kjo është antikushtetuese, kjo është thelbësisht antikushtetuese”, u shpreh ministri Imami. Ai u përgjigj edhe ndaj akuzave për trafik armësh duke i konsideruar amatoreske dhe foshnjarake. “Nuk mund të ketë trafik armësh në një vend të NATO-s. Për këtë të jeni të qartë. Është amatorizëm politik të akuzosh për trafik armësh. Kjo është e pamundur. Në fakt, në thelb, çështja qëndron këtu: Do të të ketë dhe ka tregëti të ligjshme të armëve, e cila është e rregulluar në mënyrë shumë rigoroze, nga legjislacioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar. Dhe për çfarëdolloj shitjeje që ne bëjmë ne raportojmë dhe po të klikoni tek website i agjensisë përkatëse, AKSHE, do t’i shihni të gjitha shitjet që Ministria bën. Duhet të dini se për këtë ka dy rrugë: Ose të harxhojmë para që t’i shkatërrojmë këto municione ose të shesim një pjesë të tyre dhe me paratë të mbështesim shkatërrimin e atyre municioneve që ne do të duhet t’i shkatërrojmë,” tha Ministri i Mbrojtjes. Ai dha sqarime edhe për sulmet e opozitës për përgjime politike nga struktura të FA. “Në fakt nga deklaratat e z. Rama dhe ato të z. Gjoni, kuptohet se kush është i përgjuari. Qartazi, Ministria e Mbrojtjes është nën një sulm. Është e kuptueshme kjo. Është PS që po përpiqet të mbledh informacion në rrugë të kundraligjshme për problemet e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo është për të ardhur keq, kjo nuk është rruga me të cilën veprohet. Kjo është rruga e vjetër e spiunëve dhe e mbledhjeve të bashkëpunëtorëve dhe informacioneve në rrugë të kundërligjshme. Ndërkohë që për çfarëdolloj gjëje që të kenë nevojë, kanë marrë dokumentet shkresërisht, formalisht,” u shpreh Ministri i Mbrojtjes. Ai deklaroi gjithashtu se është e nevojshëm ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili të jetë i certifikuar për tu njohur me material të klasifikuar, i cili të ushtroj kontroll tërësor. “Ka një zgjidhje serioze dhe përfundimtare që do të duhet të merret në këtë vend. Të ndërtohet një komision i posaçëm, brenda Komisionit të Sigurisë me 3-4 personalitete që kanë punuar në këtë fushë, që betohen për sekretin shtetëror, të cilët do të mund të kontrollojnë çdo gjë që ka në Ministrinë e Mbrojtjes. Përndryshe, edhe Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare nuk mund të kontrollojë gjithçka dhe për këtë janë të vetëdijshëm ata njerëz që e shohin në mënyrë serioze politikën. Unë do t’ju lutem z. Ruçi, për shkak se jeni në krye të këtij grupi dhe për shkak të përvojës tuaj, të mos cënojmë disa rregulla që janë fondamentale të këtij shteti, për shkak të interesave të momentit,” tha Ministri Imami.

KOMENTE