Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi dje në mesditë një takim të veçantë me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Aleksander Arvizu, me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Etore Sekui si dhe me Kreun e Prezencës së OSBE-së, Eugen Volfart.
Ambasadorër Aleksander Arvizu, Etore Sekui dhe Eugen Volfart vlerësuan rolin moderator, pozitiv dhe konstruktiv të Presidentit Topi si respektues i Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe si simbol i unitetit të popullit duke shprehur mirënjohen edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer e të frytshëm që kanë gëzuar me Kreun e Shtetit shqiptar gjatë mandatit të tij presidencial.
Presidenti Topi dhe Ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfart diskutuan edhe për situatën politike në vend duke nënvizuar domosdoshmërinë e gjetjes së vullnetit të duhur dhe dialogut kontruktiv nga klasa politike për të kaluar nga fjalët në vepra për kryerjen në kohën e reformave të nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian siç janë reforma zgjedhore, gjyqësore dhe ajo parlamentare si dhe heqja e imuniteteve.
Në këtë drejtim, Presidenti Topi, duke ndarë të njëjtat pikëpamje me tre Ambasadorët, theksoi se realizimi me sukses i këtyre reformave “do të ishte jetik dhe tepër i rëndësishme për demokracinë shqiptare dhe garantimin e votës së lirë të qytetarëve, për ndarjen dhe ekuilibrimin e pushteteve, për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve kushtetuese si dhe për vetë të ardhmen integruese të Shqipërisë.”
Po dje paradite, Kreu i Shtetit shqiptar zhvilloi edhe një takim pune me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nikolas Kanon, të cilit Presidenti Topi i shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm dhe ndihmesën e jashtëzakonshme të Mbretërisë së Bashkuar dhënë vendit tonë për forcimin e shtetit të së drejtës, demokratizimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve të pavarura, të shoqërisë shqiptare si për mbështetjen e palëkundur për integrimin në strukturat euro-atlantike.
Nga ana e tij, Ambasadori britanik Nikolas Kanon vlerësoi kontributin pozitiv dhe moderator si dhe rolin e rëndësishëm të Presidentit Topi gjatë mandatit të tij presidencial në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve si dhe në mbrojtje e forcim të pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, duke i uruar njëkohësisht suksese në veprimtarinë e tij të ardhshme në të mirë të qytetarëve dhe çështjes shqiptare.