English

Jozefina Topalli vizitë në Drenovë

Në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli shkoi në Drenovë, në vendlindjen e poetit, publicistit dhe patriotit shqiptar Aleksandër Stavre Drenova, Asdreni.

Kryetarja e Kuvendit u prit nga deputetë të Korçës, kryetari i komunës së Drenovës dhe përfaqësues të tjerë të autoriteteve lokale në një atmosferë festive me këngë dhe valle. Zonja Jozefina Topalli vendosi lule në monumentin e patriotit të shquar, autorit të himnit tonë kombëtar dhe ndoqi intepretimin e vargjeve të Asdrenit nga aktori korçar Guri Koço.

Si politikane dhe qytetare, zonja Jozefina Topalli shprehu nderimin dhe krenarinë për këtë figurë të shquar të historisë shqiptare, i cili me krijimtarinë e tij ngriti peshë zemrat e të gjithë shqiptarëve në kohë të vështira për kombin.

“Është një nderim i madh për të gjithë ne që kemi një figurë si Asdreni, që shkruajti fjalë aq të forta, aq të ndjeshme, aq të vërteta, që i kanë bërë shqiptarët të përballojnë dallgë dhe tallaze jo vetëm gjatë 100 viteve të fundit dhe në fund të dalin fitimtarë,” tha Kryetarja e Kuvendit.

Ka qenë energjia, dinamizmi dhe optimizmi me të cilin shqiptarët kanë parë gjithmonë nga e ardhmja që sipas zonjës Jozefina Topalli ka bërë që sot kombi të jetojë momentet e veta më të mira.

“Është një moment i veçantë ky i 100- vjetorit të pavarësisë, tha Kryetarja e Kuvendit. Është moment në të cilin ne shqiptarët jetojmë momentet e historisë më të mira për ne si komb, si Shqipëri, si Kosovë. Jemi të lirë. Kosova është e pavarur. Ecim përpara dhe e shikojmë të ardhmen me optimizëm. Jemi në NATO: kush e kishte menduar më parë? Lëvizjen e lirë: kush e mendonte më parë? Shohim me pozitivitet dhe kjo është gjëja më e veçantë që i bën shqiptarët të dallohen nga të gjitha vendet e tjera të rajonit.”
Ndërsa një ditë më parë ajo ka zhvilluar takime me gratë dhe vajzat e Drenovës për promovimin e të drejtave dhe rolit të tyre në vendimmarrje, si një faktor zhvillimi për shoqërinë dhe vendin.

Në fjalën e saj përpara grave dhe vajzave të pranishme në këtë takim, Kryetarja e Kuvendit shprehu besimin e saj të palëkundur se një grua e fuqishme dhe me të drejta të barabarta në shoqëri është një faktor vendimtar për zhvillimin e vendit.
“Unë besoj fort se sa më të shkolluara, sa më të fuqishme ekonomikisht të jenë gratë aq më e zhvilluar është shoqëria. Sa më shumë ecin në karrierë gratë dhe vajzat aq më mirë i bëhet vendit. Ne jemi të barabarta, ne duhet të jemi të barabarta!,” tha Kryetarja e Kuvendit.

KOMENTE