English

Berisha takon në Romë, Zëvendëssekretaren për Çështjet të Sigurisë së SHBA-së Jane Lute

Kryeministri Berisha zhvilloi sot, gjatë drekës së shtruar në nder të pjesëmarrëve në takimin mbi sigurinë globale, në Romë, një bisedë të ngrohtë e miqësore me Zëvendëssekretaren për Çështjet të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Jane Lute.

Znj. Lute tregoi interes të veçantë për zhvillimin e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, duke i treguar Kryeministrit Berisha se ka qenë në Shqipëri në fillim të vitit ‘92 dhe se ndjehet një admiruese e vendit tonë.

Kryeministri Berisha e njohu me zhvillimet e vrullshme dhe transformimet e rëndësishme që kane ndodhur në vend gjatë kësaj periudhe dhe e ftoi përzemërsisht Zëvendëssekretaren Lute të vizitojë sërish Shqipërisë, si mike e vërtetë e vendit tonë dhe e kombit shqiptar.

Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha dhe znj. Lute rikonfirmuan vullnetin e të dy qeverive e vendeve për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë. Zëvendëssekretarja Lute e falenderoi Kryeministrin, në emër të qeverisë dhe SHBA-së, për bashkëpunimin shumë të mirë e shumë të frytshëm në të gjitha aspektet e sigurisë.

Më tej, ata u ndalen edhe në zhvillimet e fundit në rajonin e Mesdheut dhe Afrikës Veriore e më gjerë, për sa i përket çështjeve të sigurisë, pas ndryshimeve rrënjësore që vijuan pas “Pranverës arabe”, por edhe për situatën në rajonin e Europës juglindore.

KOMENTE