Kryetari i Partisë Socialiste ka risjellë në vëmendjen e opinionit publik qëndrimin e palëkundur të forcës që drejton lidhur me heqjen/kufizimin e imuniteteve për deputetët dhe zyrtarët e lartë. Rama në mbledhjen e grupit parlamentar theksoi fort se opozita do ta japë votën për ndryshimin e Kushtetutës për kufizimin e imunitetit, por më parë të realizohet një proces publik, transparent, gjithëpërfshirës.
Lideri i opozitës i kërkoi të parit të palës tjetër që përpara se sa të kërkojë votë të PS për imunitetet, kryeministri të bëjë transparencë për cënimin e imunitetit të kundërshtarëve politikë përmes përgjimeve të paligjshme të njësisë speciale të përgjimit të ngritur në Ministrinë e Mbrojtjes. Përgjimin e paligjshëm të deputetëve dhe të diplomatëve, Kryetari Rama e vlerësoi si një veprimtari mirëfilli kriminale.
Po ashtu gjatë fjalës së tij para deputetëve Kryetari i PS vuri theksin mbi disa nga përmirësimet e Kodit Zgjedhor, duke nënvizuar faktin se forca politike që drejton do t’i fitojë zgjedhjet pasi shqiptarët do ta votojnë më shumë se çdo forcë tjetër.
Sa i takon aleancave Rama tha se Programi është graviteti i koalicionit që PS do të ndërtojë.
Më poshtë do të lexoni fjalën e plotë të Krytarit Socialist Edi Rama mbajtur në mbledhjen e grupit.
Në kushtet kur është hapur debati për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë, po hapet përditë kapaku i historisë së përgjimeve në Ministrinë e Mbrojtjes.
Është personalisht Ministri i Mbrojtjes që ka urdhëruar në shkurt të vitit 2011 blerjen e një pajisjeje me vlerë 1.586.000 euro për të përgjuar kundërshtarët e qeverisë.
Kjo pajisje në fakt kushton vetëm 400.000 euro dhe blerja e përdorimi i saj nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë, është në kundërshtim të plotë me ligjin shqiptar për përgjimet. Edhe thjesht nga ana e abuzimit me vlerën kjo është një vepër e mirëfilltë penale. Por, përtej abuzimit me vlerën si abuzim me Kushtetutën dhe me ligjin është përsëri vepër e mirëfilltë penale. Për faktin se, përmes vënies në përdorim të paligjshëm të kësaj pajisjeje është përgjuar e vazhdon të përgjohet opozita, kjo është akoma më keq, është një atentat ndaj Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në Shtetet e Bashkuara është rrëzuar 30 vjet më parë një President për përgjimin e paligjshëm të opozitës. Në botën demokratike kjo as që mund të parafytyrohet. Në Shqipëri kjo është absolutisht e ndaluar me ligj. Por, faktikisht është bërë dhe bëhet përditë, madje duke futur nën përgjim edhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve aleate të Shqipërisë në NATO nëpërmjet një njësie përgjimi në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë.
Ky shtet s’ka asgjë të përbashkët me shtetin e së drejtës, dhe ky skandal i jep këtij shteti përmasën, që në fakt ka kohë që e ka, por ia jep atë haptaz publikisht; përmasën e një shteti policor në shërbim të pushtetit politik që vjedh vota, grabit pasuri publike, tjetërson pasuri private dhe synon ta kthejë përfundimisht Shqipërinë në skenën e një demokracie komplet farsë. Në këto kushte paligjshmërie sistemike, kur deri edhe njësi përgjimi e paligjshme instalohet për të survejuar opozitën, pasi blihet me shuma marramendëse, debati për kufizimin e imunitetit, në fakt, bëhet edhe më i mprehtë. Dhe ne nuk do të pranojmë që kufizimi i nevojshëm i imunitetit, të kthehet në kufizim lirie për këdoqoftë që sot ka imunitet për shkak të detyrës. E, posaçërisht për të gjithë ata që për shkak të detyrës ndaj publikut dhe ndaj Kushtetutës u ka rënë barra në këto kushte të jenë në kundërshti me qeverinë.
Unë dje i kam dorëzuar Trojkës së Ambasadorëve vizionin e Partisë Socialiste për ndërhyrjen në Kushtetutë lidhur me imunitetin.
Qëndrimi ynë është i qartë dhe është i palëkundur:
Jemi dakord me nevojën për kufizimin e imunitetit dhe do ta votojmë kufizimin e imunitetit pasi të jetë realizuar një proces publik, transparent, gjithëpërfshirës, për ndryshimin e Kushtetutës. Nga ana tjetër, ne nuk do bëhemi pjesë e asnjë goditjeje të përqendruar për një arnim të ngutur kushtetues dhe as do të lejojmë, që kufizimi i imunitetit të bëhet shtysë për hapjen e një sezoni të ri gjuetie shtrigash në prag të zgjedhjeve të ardhshme.
E meqë jemi këtu, përpara se sa të kërkojë nga opozita votën për ndryshimin e Kushtetutës mbi imunitetin, kryeministri duhet të bëjë transparencë të plotë për cënimin e imunitetit të kundërshtarëve politikë përmes përgjimit të paligjshëm nga njësia e ngritur në Ministrinë e Mbrojtjes mbi një shkelje flagrante që përbën një vepër antikushtetuese dhe penale. Ministria e Mbrojtjes duhet të hapë dyert e mbyllura arbitrarisht për kontrollin parlamentar të kërkuar nga deputetët e opozitës. Duhet të verë në dispozicion jo vetëm të deputetëve të opozitës, por dhe të gjithë publikut dokumentacionin e blerjes së njësisë së përgjimit. Duhet të lejojë inspektimin e kësaj njësie nga ana e deputetëve të opozitës dhe duhet të japë të gjitha sqarimet e nevojshme për të arritur në përfundime të plota dhe të qarta lidhur me këtë veprimtari. E cila, për momentin me aq sa jemi të informuar, ka vetëm një emër: Veprimtari kriminale.
E së fundi për këtë: Ne nuk kushtëzojmë asgjë me vizionin e me qasjen tonë, por jemi këtu për të dëshmuar në çdo hap se në Shqipëri ka një alternativë europiane dhe për të luftuar përditë për një Shqipëri Europiane. Prandaj quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë dhe prandaj në çdo hap dhe çdo ditë jo vetëm do të jemi kundër këtij pushteti që tanimë ka marrë dhe një përmasë policeske, por do të jemi vendosmërisht këmbëngulës për t’ju thënë shqiptarëve se cila është Shqipëria ndryshe që ne kemi në vizionin tonë dhe si do ta realizojmë atë së bashku me shqiptarët.
Nga ana tjetër dua të nënvizoj shumë shkurtimisht edhe disa aspekte të reformës zgjedhore të sapodakordësuar.
Së pari, zgjedhjet nuk i fiton Kodi Zgjedhor dhe as nuk i vjedh Kodi Zgjedhor, kështu që kujt thotë se ky kod e lë PS në opozitë apo se me këtë kod zgjedhjet do vidhen prapë, unë i them se thjesht e ka gabim! Ne do t’i fitojmë zgjedhjet sepse do të fitojmë më shumë vota dhe këtë pushtet nuk ka vjedhje që e shpëton më.
Së dyti, KQZ, një nga prioritetet tona për reformën, do të ndryshojë në shtator dhe jo në shkurt siç do të përfundonte në rast se nuk do të përmbushej ky prioritet i yni dhe Arben Ristani nuk do të jetë më në krye të KQZ. Ndërsa hapjen e kutive të dokumenteve zgjedhorë nuk do ta pengojë dot më askush, sepse është sanksionuar përfundimisht qartë dhe prerë e drejta dhe liria që përmes dy anëtarëve të KQZ kjo të bëhet e mundur. Kështu që çdo komisioner që do të guxojë të përfshihet në një vazhdë të mundshme falsifikimesh të rëndomta, si ato të zgjedhjeve të shkuara, do të marrë përsipër edhe rrezikun e përballjes me Kodin Penal pas hapjes së mundshme të kutisë së dokumenteve të falsifikuara. Dhe Kodi Penal nuk ka më gjobë për falsifikime elektorale, po ka deri në 8 vjet burg për korrupsionin elektoral.
Së treti, listat e zgjedhësve, një gangrenë që solli pasojat e veta edhe në zgjedhjet e 2009 edhe në zgjedhjet e 8 majit në Tiranë, nuk do të jenë më monopol i strukturës së manipulimeve në Ministrinë e Brendshme, me në krye Ferdinant Ponen, por do të jenë të hapura për opozitën në çdo moment deri në zgjedhje dhe opozita do të mund të verifikojë dhe kërkojë ndryshime në to dhe t’i realizojë ndryshimet në to për çdo arsye të bazuar.
Së fundi, dy prioritete të tjera, ndër këto që tanimë ne i konsiderojmë të arritura, që ishin identifikimi elektronik i zgjedhësve dhe numërimi elektronik i votave nuk janë realizuar në mënyrë të plotë, por vetëm për një arsye. Për arsye të skepticizmit të shprehur zyrtarisht nga ana e ekspertëve të ODIHR-it, të cilët kanë nënvizuar për palët se futja e plotë në procesin zgjedhor e këtyre dy risive që e ndryshojnë radikalisht natyrën e administrimit zgjedhor përmban në vetvete një sërë risqesh që ODIHR-i sugjeron që palët nuk duhet t’i marrin. Risqesh që çojnë me gjasë deri në dështim të procesit. Dhe duke ndjekur sugjerimin e ekspertëve të ODIHR-it, duke respektuar faktin që ekspertiza e ODIHR-it është kërkuar prej nesh dhe nga ana tjetër duke respektuar të gjithë argumentimin e gjerë e të gjatë të bërë nga ekspertët e ODIHR-it, kemi pranuar që të ndjekim eksperiencën e vendeve të tjera që e kanë futur teknologjinë përmes dy projekteve pilot. Njëri është projekti pilot i identifikimit të zgjedhësve në Tiranë, ku kemi thuajse 25% të përmbajtjes së trupës elektorale dhe ku asnjë votues nuk do të kalojë pa skanuar më parë dokumentin e tij të identitetit dhe një tjetër për numërimin elektronik në Fier, ku kemi përsëri një numër të konsiderueshëm deputetësh që dalin për Kuvendin e Shqipërisë.
Kështu që nga pikëpamja e gjithë nevojave të natyrës teknike të dala nga eksperienca e shkuar në përmbajtjen e Kodit Zgjedhor, ne praktikisht kemi realizuar ato objektiva që i kemi vënë vetes, dhe kemi realizuar pjesërisht dy objektivat e tjerë për identifikimin elektronik dhe numërimin elektronik për arsyet që unë bëra me dije. Kështu që në këto kushte nuk ka absolutisht vend për asnjë nga deklarimet dhe qëndrimet tërësisht nihiliste mbi këtë reformë, por përkundrazi ka vend për të kuptuar dhe për të vepruar në funksion të faktit se zgjedhjet nuk i fiton Kodi Zgjedhor dhe as nuk i vjedh Kodi Zgjedhor. Zgjedhjet fitohen në fushën e betejës elektorale dhe po ashtu votat mbrohen në fushën e betejës elektorale. Ne na takon që mbi këtë bazë të përmirësuar ligjore të vazhdojmë të organizohemi më së miri në mënyrë që implementimi i Kodit Zgjedhor të jetë sa më në përputhje me ligjin. Dhe që gjithçka që është shkruar në ligj të respektohet në realitet.
Mbeti e paadresuar për momentin çështja e sistemit zgjedhor. Ne kemi pasur qëndrimin tonë shumë të qartë qysh në krye të herës. Kemi qenë dhe jemi për rishikim të sistemit, por e kemi thënë dhe i kemi qëndruar deri në fund asaj që e kemi thënë qysh në fillim se nuk do të kushtëzojmë procesin e rishikimit të kodit me sistemin. Tani sigurisht është koha për të arsyetuar sëbashku me aleatët tanë dhe të gjithë aleatët e tjerë potencialë, një proces bashkëpunimi dhe bashkërendimi të energjive dhe për të dalë në fushën e betejës me një koalicion të plotë, antiregjim dhe mbi të gjitha me një koalicion i cili të përçojë në të gjithë Shqipërinë vizionin dhe idetë e programit tonë “Për një Rilindje Shqiptare”. Programi ynë “Për një Rilindje Shqiptare” është graviteti i koalicioni që ne duam dhe do të ndërtojmë. Çdo forcë politike që është e gatshme të bashkohet me ne mbi këtë program është e mirëpritur. Dhe beteja jonë do të zhvillohet mbi programin “Për një Rilindje Shqiptare” dhe për programin “Për një Rilindje Shqiptare”. Besoj se dyert janë të hapura për të gjithë aleatët e sotëm dhe aleatët potencialë dhe se mundësitë e bashkëpunimit janë aty pavarësisht se sistemi zgjedhor ka mbetur i pandryshuar. Ashtu sikundër Partia Socialiste është e vetëdijshme për të gjithë kontributin e aleatëve të saj në këtë periudhë shumë të vështirë për vendin dhe në këtë proces opozitarizmi jashtëzakonisht të kushtëzuar nga presioni politik dhe deri edhe policor i pushtetit. E për këtë arsye jemi plotësisht të hapur t’i dëgjojmë dhe të gjejmë me të gjithë aleatët tanë rrugët e një bashkëpunimi që i vendos të gjithë në pozita sa më të favorshme për të bërë betejën e tyre.