Kryeministri Berisha priti sot në një takim lamtumire, ambasadoren e Polonisë në Shqipëri, zonjën Irena Tatarzynskam me rastin e përfundimit të misionit të saj në vendin tonë.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e madh të ambasadores Tatarzynskam në konsolidimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve shumë të mirë e miqësore mes dy vendeve dhe bashkëpunimin në fushat, si në kuadrin dypalësh ashtu dhe në atë shumë palësh, në veçanti në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë.
Kryeministri u shpreh se zonja Tatarzynskam largohet si një mike e madhe dhe e shquar e Shqipërisë dhe popullit shqiptar, e cila është përherë e mirëpritur në vendin tonë, tashmë si vizitore apo turiste.
Ambasadorja polake, zonja Irena Tatarzynskam e falenderoi kryeministrin Berisha për mbështetjen e pakursyer dhe bashkëpunimin që ai personalisht dhe qeveria shqiptare kanë ruajtur me ambasadën polake në Tiranë, e cila ka shërbyer si një ndihmesë e jashtëzakonshme në suksesin e misionit të saj.
Zonja Tatarzynskam shfrytëzoi rastin për ti shprehur kryeministrit Berisha vlerësimet më të larta për arritjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe në të gjitha fushat, duke u ndalur në veçanti në arritjet historike si anëtarësimi në NATO, liberalizmi i vizave dhe ecja përpara me shpejtësi drejt integrimit evropian.
Zonja Tatarzynskam vlerësoi se Shqipëria është transformuar tërësisht gjatë kësaj periudhe dhe se ajo largohet me përshtypjet më të shkëlqyera për mikpritjen, miqësinë dhe bashkëpunimin që i është ofruar gjatë gjithë kësaj periudhe në vendin tonë, duke mbetur një dashamirëse dhe adhuruese e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në takim u vlerësua intensifikimi i ndjeshëm i marrëdhënieve politike të nivelit më të lartë, të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy vendeve gjatë kësaj periudhe. Zonja Tatarzynskam e siguroi Kryeministrin Berisha se Polonia ka qenë, është dhe do të vijojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për integrimin sa më parë të Shqipërisë në BE.
Kryeministri Berisha, pasi e falenderoi ambasadoren Tatarzynskam për mbështetjen jashtëzakonshme që Polonia i ka treguar Shqipërisë si në projektin madhor të integrimit evropian, ashtu dhe në fushat e bashkëpunimit dypalësh përfshi edhe ndihmat humanitare ne rastet e fatkeqësive natyrore si përmbytja në Shkodër, kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për ti përcjellë presidentit polak zotit Bronisław Komorowski dhe Kryeministrit polak, zotit Donald Tusk përshëndetjet më të përzemërta.
Pas takimit, kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të ambasadores Tatarzynskam, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.