English

Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Kuvendi u mblodh në seancë plenare nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli dhe, ndër të tjera, miratoi paketën e ndryshimeve për reformën zgjedhore.

Në hapje të seancës Kryetarja e Kuvendit njoftoi deputetët për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe miratimin e kalendarit të punës për javën në vijim, si dhe datën e seancës kur do të zhvillohet ceremonia e betimit të Presidentit të Republikës.
“Përpara se të fillonim seancën plenare është mbledhur Konferenca e Kryetarëve, e cila ka hartuar draftin e kalendarit të punimeve për javën e ardhshme, ku përshihen ligjet për të cilat ka filluar puna në komisione të ndryshme, ai për ekonominë, për çështjet ligjore dhe në komisionet e tjera. Ju bëj gjitashtu me dijeni se të martën në orën 18:30, sipas Kushtetutës, do të zhvillohet seanca e betimit të Presidentit të Republikës,” tha zonja Jozefina Topalli.

Në vijim Kryetarja e Kuvendit përmendi projektligjet që do të shqyrtohen nga Komisioni i Ligjeve në ditët në vazhdim, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit.
“Në fakt komisioni i ligjeve është i mbingarkuar. Nesër në Këshillin e Legjislacionit bashkë me Komisionin e Ligjeve do të punojmë për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit. Të shtunën do të kemi dëgjesën me grupet e interesit dhe akademikë, profesorë e konstitucionalistë për propozimet e ardhura,” tha Kryetarja e Kuvendit.

Seanca vijoi punimet me diskutimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike foli Kryeministri Sali Berisha dhe deputeti Viktor Gumi, ndërsa në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, fjalën e mori deputeti Damian Gjiknuri. Ndërkohë, në cilësinë e përfaqësuesve politike të Partisë Republikane dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, për projektligjin diskutuan edhe Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe deputeti Vangjel Dule.

Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi me 127 vota pro, dy kundër dhe 3 abstenim ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pas votimit me konsensus të këtyre ndryshimeve, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli falënderoi të gjithë ata që punuan për reformën zgjedhore dhe nënvizoi se miratimi i kësaj reforme plotëson një prej prioriteteve kryesore për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE.
“Falënderoj të gjithë ata që punuan për reformën zgjedhore. Komisioni për reformën zgjedhore ka bërë një punë të jashtëzakonshme, të palodhur dhe profesionale. Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor plotëson një prej prioriteteve kryesore për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian,” tha Kryetarja e Kuvendit.

Seanca vijoi punimet me miratimin e projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së KQZ-së për vitin 2011”, si dhe miratimin e projektrezolutës “Për raportin e Prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2011”.

KOMENTE