English

Lista e zezë e Bashkisë së Tiranës ka 76 subjekte pasive në proces legalizimi

Procesi i hipotekimit është prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës. Siç ka deklaruar Bashkia e Tiranës do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces, si ZRPP dhe Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale.

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me ALUIZNI-n ka ngritur një Task-Forcë e cila ka analizuar rast pas rasti të gjitha ndërtimet që kanë pasur shkelje të lejes. Në total janë 456 objekte.

Nga të cilat janë pajisur me leje legalizimi pranë Drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t; 212 objekte dhe po vazhdojnë procesin e hipotekimit pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajteshme. Ndërkohë, 244 objekte janë në proces të përfundimit të procedurave për legalizim.

Për të mundësuar përfundimin e procedurave dhe përshpejtuar procesin e legalizimit, Bashkia e Tiranës ka vendosur në shërbim të subjekteve të gjithë dokumentacionin që gjendet në arkivën teknike të Bashkisë. Pavarësisht kësaj, disa subjekte vazhdojnë të jenë indiferente ndaj plotësimit të detyrimeve që kanë përballë qytetarëve.

68 subjekte nuk kanë plotësuar dokumentacionin tekniko-ligjor dhe nuk kanë shlyer detyrimet financiare ndërsa 8 subjekte të tjera nuk kanë shlyer detyrimet financiare.

Që nga dita e sotme, të 76 subjektet e mësipërme, pronarët e tyre dhe çdo kompani tjetër e regjistruar në emër të tyre, do të futet në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës dhe do të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me të, deri në përfundim të këtij procesi sipas ligjit.

Aktualisht në listën e zezë janë dhe 19 subjekte 13 prej te cilave nuk kanë plotësuar dokumentacionin për t’u pajisur me leje përdorimi dhe 6 të tjera nuk kanë aplikuar për hipotekim. Qytetarët e Tiranës nuk mund dhe nuk do të mbeten peng i askujt.

KOMENTE