English

Presidentja Jahjaga takon Jose Manual Barroso në Bruksel

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, u takua dje me Presidentin e Komisionit Evropian, zotëri Jose Manual Barroso. Në takim mori pjesë edhe Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, zotëri Stefan Fule, dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Kosovën, zotëri Samuel Zbogar.

Presidentja Jahjaga gjatë vizitës në Bruksel dhe takimeve me zyrtarët e lartë evropian shoqërohet nga ambasadori i Republikës së Kosovës, zotëri Ilir Dugolli.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Barroso diskutuan për perspektivën evropiane të Kosovës si dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Ata biseduan për nevojën e thellimit të reformave në Kosovë, në fusha të ndryshme, përfshirë atë të sundimit të ligjit dhe për integrimin e komuniteteve. Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Barroso vlerësuan se integrimi evropian për tërë rajonin e Ballkanit dhe për Kosovën është e vetmja alternativë që siguron stabilitet dhe paqe afatgjate.

Të dy bashkëbiseduesit folën edhe për vazhdimin e pranisë së misionit të EULEX-it, edhe pas përfundimit të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë si dhe për dialogun e strukturuar për sundimin e ligjit, që po zhvillohet ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Barroso theksuan se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nxjerrë marrëveshje ndërmjet palëve të cilat duhet të zbatohen, me qëllim të lehtësimit të jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Barroso pas takimit mbajtën një konferencë me gazetarë. Në vazhdim po e japim të plotë deklaratën për media të Presidentes Jahjaga.

KOMENTE