Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u mblodhën sot nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefna Topalli për të shqyrtuar në parim nismën për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se nisma në fjalë ka një histori gati 10-vjeçare, që fillon që në vitin 2003 dhe ka qenë nisma me ecurinë më të ngadaltë në historinë e Parlamentit shqiptar. Zonja Jozefina Topalli nënvizoi se nëpërmjet kësaj nisme deputetët kanë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre me votë dhe jo me fjalë për të qenë të barabartë para ligjit ashtu si të gjithë qytetarët shqiptarë.
“Një formalizim te ri i heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë duke filluar nga deputetët e parlamentit të Shqipërisë dhe duke vazhduar në institucione të tjera të Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian që janë më të specializuara PACA dhe EURALIUS. Përpara shqiptarëve si deputetë ne kemi detyrë për tu thënë atyre që ne nuk kemi asnjë arsye më shumë se deputetët e çdo vendi tjetër , të çdo parlamenti tjetër që të mbajmë imunitetin. Për këtë kemi momentin jo ta themi me fjalë, por me votë,” tha zonja Jozefina Topalli.
Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se heqja e imunitetit është një çështje që i takon shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe mbi të gjitha është një çështje që i takon standardeve dhe moralit.
“Sot përpara shqiptarëve ngrihet pyetja: Pse ne deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të kemi imunitet ndërkohë që deputetët e tjerë në parlamentet e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian nuk kanë imunitet?” tha Kryeparlamentarja Topalli.
“Sot është rasti jo thjesht për të folur në parim. Është rasti për të thënë “Po! Ne të gjithë bashkë të majtë dhe të djathë do të votojmë kufizimin e imunitetit”. Duke filluar nga vetja jonë dhe pastaj duke shtuar të gjithë institucionet që mbajnë imunitet,” theksoi Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Në vijim deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka paraqiti nismën për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, një projekt i hartuar me ekspertizën më të mirë të misioneve të Bashkimit Europian në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe konsolidimit të sistemit gjyqësor, PACA dhe EURALIUS.
Më pas në emër të opozitës, deputeti Fatmir Xhafaj pasi u shpreh dakord në parim me nismën e maxhorancës për heqjen e imuniteteve paraqiti një nismë të re të deputetëve të PS për ndryshime të tjera kushtetuese.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli sqaroi se nisma e PS-së për ndryshime të tjera kushtetuese nuk është dhe nuk mund të jetë objekt i kësaj mbledhjeje, dhe kalendarit të miratuar për shqyrtimin e propozimeve për ndryshime kushtetuese për heqjen e imunitetit por ajo do të shqyrtohet si një nismë e veçantë (siç ajo është në të vërtetë) në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Në vijim e morën fjalën Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Ilir Rusmali, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, deputetët Pandeli Majko, Tritan Shehu dhe Dashnor Sula të cilët shprehën qëndrimet e tyre në lidhje me nismën e paraqitur nga mazhoranca për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë.
Në përfundim, Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratuan zotërinjtë Edi Paloka dhe Pandeli Majko si relator të ligjit, si dhe listën e grupeve të interesit dhe ekspertëve që do të ftohen në seancën dëgjimore në lidhje me këtë çështje.
Seanca dëgjimore do të filloj ditën e shtunë, në 21 korrik 2012, ora 10.00.