English

Ali Podrimja. Gjendet i pajetë trupi i tij në Francë

Është zgjidhur dhe misteri i zhdukjes së një prej korifejve të letrave shqipe Ali Podrimja i cili ishte zhdukur që prej tre ditësh.

Por lajmi i gjetjes ka qënë i dhimbshëm pasi trupi i tij u gjet i vdekur.

Autoritetet franceze i kanë përcjellë lajmin e dhimbshëm Ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj, për gjetjen e trupit të pajetë të kollozit të poezisë shqipe Ali Podrimja.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, i ka përcjellë ngushëllimet e tij përmes një telegram ngushëllimi familjes komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës.
“Humbja e poetit me renome ndërkombëtare Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Hoxhaj.

Autoritet franceze po punojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të humbjes së jetës së poetit Ali Podrimja.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës falënderon autoritetet e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme Franceze, si dhe të gjitha institucionet e tjera lokale e qendrore në Francë për angazhimin maksimal të tyre në ndriçimin e këtij rasti.

KOMENTE