English

Burgaj-Berlendi monitorim nga ajri: Situata shumë herë më pozitive

Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Italiane, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet dy policive, gjatë ditës së sotme, kanë vijuar monitorimin e territorit për identifikimin e sipërfaqeve të mundshme të kultivuara me bimë narkotike, monitorim i cili po zhvillohet në të gjithë territorin e vendit që nga data 4 korrik.
Por në monitorimin e zhvilluar në zonën veriperëndimore, mori pjesë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Hysni Burgaj dhe Zv/Ambasadori Italian në Tiranë z. Giuseppe Berlendi, të cilët gjatë prononcimit për mediat dhënë në Aeroportin e Rinasit, evidentuan situatën shumë herë më pozitive krahasuar me vitet e mëparshme sa i përket kultivimit të bimëve narkotike, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer mes agjencive të zbatimit të ligjit të të dy vendeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit theksoi vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të nxjerrë përfundimisht Shqipërinë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike.
“Sapo u ktheva nga zona e jugut, ku unë konfirmoj me kënaqësi që situata është krejt ndryshe nga vitet e mëparshme, është shumë herë më pozitive, kjo dhe për fshatin Lazarat, për të cilin kemi punuar mjaft dhe do të vijojmë përsëri operacionet policore për zhdukjen përfundimtare edhe në këtë fshat të kanabis sativa.
Sot ne vijojmë operacionin në bashkëpunim me Policinë Italiane, Misionin Interforze, Guardia di Finaza dhe agjencitë e tjerat të zbatimit të ligjit të shtetit italian, me vullnet të padiskutueshëm të qeverisë shqiptare dhe zbatuese Policinë e Shtetit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit për të monitoruar tërësisht territorin shqiptar në luftë kundër kultivimit të bimës kanabis sativa.
Jam këtu së bashku me Zv/ambasadorin italian dhe një herë dua të ripërsëris vendosmërinë tonë, transparencën tonë për të identifikuar çdo bimë narkotike që kultivohet në vendin tonë dhe sigurisht jemi shumë të vendosur për të luftuar këtë krim e vitin e ardhshëm do të vijojmë përsëri, në sajë të kësaj pune do të ketë më pak trafik ndërkombëtar të kanabis sativa, do ketë më pak përdorues droge e hashashi në shkolla, do ketë më pak të arrestuar për këtë çështje. Ne do të bëjmë të pamundurën që Shqipëria të dalë përfundimisht nga harta e kultivimit të kanabis sativa.
Sigurisht që është një ndihmë shumë e madhe e Qeverisë Italiane e Policisë së Shtetit Italian për Policinë Shqiptare në luftën e përbashkët kundër drogës dhe do të vijojmë përsëri dhe në të ardhmen bashkëpunimin në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.” – theksoi Z. Burgaj.
Ndërkohë duke ju referuar monitorimit të kryer Z. Burgaj theksoi se situata është shumë më pozitive krahasuar me vitet e mëparshme, ndërkohë që evidentoi dhe teknologjinë e përparuar përmes të cilës aktualisht po kryhet monitorimi në të gjithë vendin.
“Nga gjithë këto ditë që është monitoruar territori shqiptar nga data 4 e në vijim mund të konfirmoj me kënaqësi që situata është shumë më pozitive krahasuar me vitet e mëparshme.
Janë dy avionë teknologji e fundit, mund të them eksperiencë e fituar nga shtetet e bashkuara të Amerikës dhe në Europë është rasti i parë që shteti Italian ka vënë teknologji të tillë në përdorim, e cila me anë të rrezeve, ngjyrës, fikson çdo bimë cannabis sattiva në të gjithë territorin e vendit
Rastet e konstatara të kultivimit mund të them që janë raste sporadike në male, në pjesë tepër të fshehura dhe kjo ka sjellë dhe domosdoshmërinë e avionëve shumë special për të identifikuar këto bimë. Pjesa më e madhe janë nga 10-15 bimë në zona tepër të thella çka ka sjellë për pasojë një kosto shumë të madhe për punonjësit e policisë duke ecur mbi 6 orë në këmbë për të arritur dhe asgjësuar bimën narkotike dhe kapur autorët në këto male.
Gjithçka jepet me koordinata të sakta, monitorohet gjithçka dhe punonjësit e policisë e kanë shumë më të lehtë për ta gjetur, identifikuar, asgjësuar, po ashtu dhe kapur autorët të cilët merren me këtë kultivim.
Faza e parë e këtij procesi mund të them që mbyllet sot, së shpejti do të fillojmë përsëri fazën tjetër, që do të jetë një fazë akoma më e gjatë dhe do të përmbyllet pastaj në muajin shtator.
Dua të shtoj dhe diçka tjetër, këto avionë nuk janë thjesht avionë, janë laboratorë kriminalistik, të cilët ne do të punojmë së bashku me prokurorinë për t’i kthyer në prova.
Unë u bëj thirrje të gjithë atyre që qoftë në male apo toka publike kultivojnë kanabis që të mos e zhvillojnë këtë veprimtari kriminale, pasi patjetër çdo bimë e mbjellë do të asgjësohet dhe përfundimisht Shqipëria do të dalë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike.”- u shpreh Z. Burgaj.
Gjatë fjalës së tij Z. Burgaj evidentoi dhe bashkëpunimin me policitë homologe në luftë kundër trafikut të drogës:
“Sigurisht ne bashkëpunimin e kemi me të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit dhe me policitë homologe dhe sigurisht që kapjet që bëhen dhe në tokën greke në shumicën e rasteve është informacioni i policisë shqiptare, apo dhe rastet kur kapen dhe në Itali është bashkëpunimi i shkëlqyer me palën italiane.” – theksoi Z. Burgaj.
Z. Burgaj theksoi se ligji është duke u zbatuar dhe do të zbatohet ndaj të gjithë atyre të zgjedhur vendorë apo dhe punonjësve të policisë që nuk do ta zbatojnë me korrektësi atë.
Duke ju referuar të zgjedhurve vendorë Z. Burgaj u shpreh:
“Ligji është zbatuar. Ata kanë qenë korrekt me informacionin e dhënë për Policinë e Shtetit. Në të gjitha rastet që nuk do japin informacion dhe do të jenë në kundërshtim me ligjin sigurisht që do të ketë dhe arrestime të tilla. Ju keni dëgjuar, jeni informuar që ne kemi arrestuar dhe kryepleq apo ndëshkuar edhe punonjës policie në rastet kur ata nuk kanë kryer detyrën.
Sigurisht edhe për Lazaratin mund të konfirmoj që Kryetari i Komunës Lazarat, ndryshe ndoshta dhe nga çdo vit tjetër, këtë vit ka dhënë një informacion të detajuar, duke shkuar dhe më tej, duke shkuar së bashku me punonjësit e policisë për të asgjësuar bimët në parcelat publike në Lazarat.”
Po ashtu Z. Burgaj theksoi se ndërhyrjet e Policisë së Shtetit do të vazhdojnë.
“Do vijojmë përsëri, ne nuk do të tërhiqemi në asnjë moment deri në arritjen e objektivave strategjik që ka Policia e Shtetit.”
Zv/Ambasadori Italian në Tiranë, Z. Giuseppe Berlendi gjatë fjalës së tij theksoi se situata për sa i përket kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri është më e mirë dhe ka një progres të madh në këtë drejtim, po ashtu evidentoi dhe bashkëpunimin e shkëlqyer.
“Situata është sigurisht më e mirë. Ka një progres të madh. Ndërkohë ky projekt po vijon në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar mes ministrive respektive dhe përshinë 2 mjete fluturuese të Guardia di Finanza dhe një program të universitetit Napoli 2, program i cili parashikon mundësinë që të dallosh frekuencën e bimëve, pra çdo bimë e reflekton ngjyrën në një mënyrë të ndryshme dhe nga kjo kuptohet çfarë bime është dhe kjo është e shkëlqyer.
Është në interesin tonë të bashkëpunojmë me Shqipërinë dhe ky bashkëpunim duhet të them është i shkëlqyer.
Në kuadër të këtij monitorimi u zhvillua dhe një operacion i përbashkët ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane në zonën e Vaut të Dejës në Shkodër, për asgjësimin e një sipërfaqe me bimë narkotike të kultivuar në një zonë shumë të vështirë, ishull.
Koordinimi i veprimeve në kuadër të këtij operacioni u krye bazuar në koordinatat e sakta të marra nga avionët italianë. Në këtë operacion u përfshinë forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të mbështetura dhe nga një helikopter i Policisë së Shtetit. Për transportin e tyre në këtë zonë të vështirë u vunë në dispozicion dy mjete lundruese.
Në përfundim të këtij operacioni u bë i mundur asgjësimi i sipërfaqes së mbjellë me rreth 1.000 bimë narkotike kanabis sativa. Po ashtu është identifikuar autori dhe nga strukturat e policisë vazhdon puna për kapjen e tij.

Në përfundim Z. Burgaj u pyet nga gazetarët e pranishëm lidhur me masat e marra për parandalimin e aksidenteve rrugore.
z. Burgaj thekosi se ka filluar të zbatohet një plan i ri për këtë çështje, duke përfshirë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe patrullat e përgjithshme, me qëllim që të ndërgjegjësojmë qytetarët shqiptarë të vendosin rripin e sigurimit, pasi në 50-60% të rasteve bëhen viktimë thjesht për mungesë të vendosjes së rripit të sigurimit.
“Sigurisht që do marrim masa akoma më të rrepta për të ndëshkuar të gjithë ata që bëhen shkaktarë të aksidenteve në rrugë.” – vijoi Z. Burgaj.
Ndryshimet e bëra në kodin rrugor kanë dhënë ndihmesën e tyre në uljen e numrit të aksidenteve evidentoi Z. Burgaj.
“Ne duke krahasuar me vitin e mëparshme jemi shumë herë më mirë si sa i përket numrit të e aksidenteve fatale, por dhe aksidenteve në tërësi, por do të punojmë akoma më tepër në këtë drejtim, gjithmonë jo të vetëm por së bashkë dhe me ju mediat, së bashku dhe me gjithë komunitetin për ta ndërgjegjësuar atë dhe për të zbatuar të gjithë rregullat e kodit rrugor.”- theksoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

KOMENTE