English

Inagurohet godina e re e Komisariatit të Kufirit e Migracionit Sarandë

Përmes një ceremonie të veçantë, janë inaguruar punimet e kryera për ndërtimin e Komisariatit të Kufirit e Migracionit Sarandë, ndërtimi i të cilit u mundësua falë një investimi prej 282.659 euro nga BE në kuadër të Programit IPA 2009 “Menaxhimi i Kufirit Blu”.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z.Hysni Burgaj, Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Zj. Carola Muller, Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Z. Jochen Schult, Kryetari i Bashkisë Sarandë Z. Stefan Çipa, si dhe përfaqësues të tjerë nga trupi diplomatik akredituar në Tiranë, nga institucione të ndryshme të zbatimit të ligjit, si dhe organizata me të cilat bashkëpunohet në vijueshmëri për zbatimin e detyrave në fushën e sigurisë.

Po ashtu të ftuar të veçantë ishin fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës Sarandë, prania e të cilëve e bëri më të bukur dhe të veçantë këtë ceremoni.

Gjatë fjalës së rastit Drejtori Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Hysni Burgaj, duke shprehur kënaqësinë e veçantë për pjesëmarrjen në këtë ceremoni të përurimit të ndërtesës së re të Komisariatit të Kufirit dhe Migracionit Sarandë, theksoi faktin se kjo ndërtesë e re dhe moderne, do të mundësojë që punonjësit e shërbimeve të kufirit për Sarandën të kenë në dispozicion ambiente cilësore, që përmirësojnë ndjeshëm kushtet e punës e të shërbimit, duke u shërbyer kështu në mënyrë më cilësore dhe qytetarëve.

Po ashtu z. Burgaj gjatë fjalës së tij vuri në dukje asistencën e vazhdueshme dhënë nga Bashkimi Europian për Policinë e Shtetit, duke e vlerësuar atë edhe si një nxitje të fuqishme për reformimin e Policisë së Shtetit dhe shndërrimin e saj në një partnere të denjë të organizatave homologe.

“Kontributet e Bashkimit Evropian për Policinë e Shtetit as kanë filluar dhe as përfundojnë sot. Ndër vite, organizata jonë ka përfituar e vazhdon të përfitojë ndihma të konsiderueshme nga Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij përfaqësuese në Shqipëri. Ju siguroj zotërinj të nderuar se ndihmat e donacionet e afruara nga Bashkimi Evropian kanë ndikuar në mënyrë të dukshme për përmirësimin e standardeve të punës së Policisë së Shtetit në luftë kundër krimit, parandalimin e trafiqeve të paligjshme, rritjen e sigurisë për jetën, shëndetin e pronën e qytetarëve, përmirësimin në rritje të performancës së strukturave policore, zhvillimin në përgjithësi të organizatës sonë etj.

Ndihmën dhe mbështetjen Tuaj permanente për Policinë e Shtetit, e vlerësojmë jo vetëm si një përkrahje të thjeshtë, por edhe si një nxitje të fuqishme për reformimin e Policisë së Shtetit dhe shndërrimin e saj në një organizate policore demokratike, partnere e denjë e organizatave homologe të vendeve të Bashkimit Evropian.“ – u shpreh Z. Burgaj.

Z. Burgaj, në emër të Policisë së Shtetit shprehu falënderimet për vendet e Bashkimit Europian, për ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar Policisë së Shtetit, duke i garantuar se organizata jonë policore do të vazhdojë me vendosmëri rrugën e reformimit të vazhdueshëm të saj për tu shndërruar në një institucion në shërbim të komunitetit.

Këshilltari i parë të Delegacionit të BE-së në Tiranë, Z. Jochen Schult gjatë fjalës së tij u ndal në mënyrë të veçantë tek ndihma prej 30 milionë euro e Bashkimit Europian për përmirësimin e menaxhimit të kufirit, dhe rëndësia e tyre në përafrimin e kushteve dhe metodave të punës së këtyre strukturave me standarded e BE-së.

“Menaxhimi i kufirit është mjaft i rëndësishëm në forcimin e zbatimit të ligjit, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. BE-ja ka ofruar një mbështetje të madhe për Shqipërinë në këtë proces, përmes përmirësimit të infrastrukturës, si dhe në drejtim të burimeve njerëzore dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Në këtë kontekst, vlen të evidentohet fakti që ne kemi vënë re me kënaqësi se Policia Kufitare dhe e Migracionit gjatë viteve të fundit është shndërruar në një departament me metoda pune bashkëkohore, të cilat janë tashmë shumë më afër standardeve të BE-së.” – u shpreh Z. Schult.

Po ashtu Z. Schult duke iu drejtuar punonjësve të policisë që do të punojnë në këtë komisariat të sapondërtuar, vlerësoi arritjet e Policisë së Shtetit veçanërisht në luftën kundër trafikut të drogës:

“Lufta ndaj krimit të organizuar është një ndër 12 prioritetet e Bashkimit Europian për Shqipërinë, por kjo luftë sjell gjithashtu dhe disa rreziqe ndaj të cilave ju mund të jeni të ekspozuar.

Së fundmi jam njohur me mjaft histori suksesi mbi luftën tuaj kundër trafikut të drogës:

Në mënyrë të veçantë në 2012, ju rritët në mënyrë të ndjeshme sasinë e drogave të sekuestruara, me ndihmën e pajisjeve të financuara nga BE.” – u shpreh Z. Schult.

Gjatë fjalës së tij Z. Schult vuri në dukje se Delegacioni i BE-së aktualisht është duke përgatitur një projekt vijues (PAMECA IV) që të vazhdojmë të punojmë së bashku për të përafruar standardet me ato të BE-së dhe për këtë qëllim, janë parashikuar 6 milionë euro në kuadër të programit IPA 2012.

Ndërkohë Ambasadorja Gjermane, Zj. Carola Muller, gjatë fjalës së saj theksoi se kufijtë e Shqipërisë tashmë kanë një kuptim tjetër, ata nuk shërbejnë më për të izoluar shtetasit shqiptar dhe të huaj, por shërbejnë për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve. Zj. Muller vuri në dukje se Policia e Kufirit dhe Migracionit ka ecur përpara për të luftuar trafiqet e paligjshme dhe ky është një vlerësim i bërë dhe nga ekspertët.

Po ashtu Zj. Muller duke ju referuar komisariatit të sapondërtuar theksoi se së bashku me stacionet e tjera policore të rindërtuara do të shërbejë në forcimin e luftës kundër trafiqeve të paligjshme.

Tashmë evidentoi Zj. Muller, Shqipëria që gjeografikisht bën pjesë në Europë, po afrohet dhe me institucione me vendet e BE-së.

Kryetari i Bashkisë së Sarandës e cilësoi ndërtimin e këtij Komisariati si një investim me mjaft vlerë për Bashkinë e Sarandës, që do t’i shërbejë më së miri qytetarëve shqiptarë, por dhe vizitorëve të shumtë që vizitojnë Sarandën gjatë sezonit turistik.

Pas prerjes së shirit të inaugurimit të pranishmit në këtë ceremoni patën mundësi të vizitojnë ambientet e Komisariatit, ku ishin të ekspozuara vizatime të fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijës Sarandë, fotografi mbi aspekte të ndryshme nga puna e strukturave të policisë kufitare. Po ashtu patën mundësi të shikojnë dhe anijen e policisë pikturuar enkas për këtë rast nga fëmijët.

Në përfundim të ceremonisë fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijës Sarandë iu dha mundësia të zhvillonin një udhëtim me mjetet lundruese të Policisë së Kufirit e Migracionit.

Projekti “Menaxhimi i kufirit Blu” me te gjithë komponentët përbërës, ka ndikuar dukshëm në rritjen e performancës së Policisë Kufitare dhe Migracionit në luftë kundër aktiviteteve të paligjshme në kufi.

Në sajë të ndihmës së vendeve të Bashkimit Europian Shqipëria ka tashmë 12 pika kalimi kufitare të reja dhe 17 stacione policore të kufirit të rindërtuara.

Krahas ndërtimit dhe rikonstruksionit të stacioneve të policisë kufitare, pikave të kalimit kufitar, pajisjes me mjete lundrimi të një shpejtësie të lartë të cilat mund t’i shihni në port, pajisjeve të reja të komunikimit radio dhe mjeteve të ekspozuara këtu nga stafi policor, Bashkimi Europian përmes asistencës në kuadër të projektit PAMECA prej 7 milionë euro e njohu policinë shqiptare me praktikat më të mira europiane.

KOMENTE