English

PS: propozon disa ndryshime nenesh në kushtetutë që kanë të bëjnë me imunitetin

Partia Socialiste është shprehur për disa ndryshime lidhur me projektligjin në proces shqyrtimi në Këshillin për Legjislacionin dhe Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Në Kuvend, nga ana e një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike është paraqitur për shqyrtim projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar lidhur me dispozitat kushtetuese që kanë të bëjnë me imunitetin.

Të bindur në domosdoshmërinë e kufizimit/heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë, konseguentë në domosdoshmërinë e realizimit të këtij akti përmes ndryshimit kushtetues si e vetmja rrugë ligjore efektive, në respekt të parimeve kushtetuese dhe në përmbushje të rekomandimeve të partnerëve tanë ndërkombëtar ne mbështesim procesin ligjvënës për ndryshimin e dispozitave kushtetuese lidhur me imunitetin.

Në mbështetje të nenit 177/1 dhe nenit 77/a të rregullores së Kuvendit ne, një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që përbëjmë më shumë se një të pestën e anëtarëve të Kuvendit propozojme amendamentet e mëposhtëme lidhur me projektligjin në proces shqyrtimi në Këshillin për Legjislacionin dhe Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Amendamentet tona konkrete janë :

Amendamenti 1 : Neni 1 i projektligjit të riformulohet si vijon:

Neni 1

Neni 73 ndryshohet si vijon :

"Neni 73
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit dhe përmbushjes së të drejtave dhe detyrave të tij si deputet. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes. Imuniteti nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve të Kuvendit për veprimet e kryera jashtë ushtrimit të funksionit dhe përmbushjes së të drejtave dhe detyrave të tyre si deputetë të Kuvendit.

2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij/saj të ushtrohet kontroll personal ose banesës, pa autorizimin e Kuvendit.“

3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë të mbyllur për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të fshehtë, me votat e shumicës së të gjithë deputetëve.


Amendamenti 2. Neni 2 i projektligjit të riformulohet si vijon :

Neni 2

Neni 126 ndryshohet si vijon :

“Neni 126
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mban përgjegjësi për mendime dhe vendime të marra në ushtrim të funksioneve të tij. Procedurat lidhur me përgjegjësinë e tyre për shkelje të kryera jashtë funksionit të tyre, në kushte të njëjta si përgjegjësia e deputetëve, rregullohen në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e vetë gjykatës, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.”

Amendamenti 3. Neni 3 i projektligjit të riformulohet si vijon :

Neni 3

Neni 137 ndryshohet si vijon :

“Neni 137
1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mban përgjegjësi për mendime dhe vendime të marra në ushtrim të funksioneve të tij si gjyqtar. Procedurat lidhur me përgjegjësinë e tyre për shkelje të kryera jashtë funksionit të tyre, në kushte të njëjta si përgjegjësia e deputetëve, rregullohen në ligjin organik të Gjykatës së Lartë. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.”

2. Gjyqtarët e tjerë nuk mbajnë përgjegjësi për opinione dhe vendime të marra në ushtrim të funksioneve të tyre gjyqësore. Gjyqtari nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.”

Bashkëlidhur, në respektim të kërkesave të rregullores se kuvendit paraqitet relacioni me arsyetimin përkatës në mbështetje të amendamenteve të mësipërme.

Ne vlerësojmë se procesi për ndryshimet kushtetuese duhet përshkrohet nga debati konstruktiv në funksion të arritjes së një konsensusi sa më të gjerë i cliruar nga qëndrimet kushtëzuese e imponuese të palëve lidhur me amendamente konkrete, kohën dhe procedurat formale si domodoshmëri për të garantuar një proces të besueshëm dhe të qëndrueshëm.

KOMENTE