English

Thaçi: deklaratat e Nikoliç burojnë nga mentaliteti i Milosheviçit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se deklaratat e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq janë mesazhe të këqija jo vetëm për Kosovën, por edhe për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin fqinjësor në rajon. Kryeministri Thaçi theksoi se mesazhet e Nikoliqit burojnë nga periudha dhe mentaliteti i Milosheviçit, të cilat kanë shkaktuar dhimbje të mëdha për popujt ballkanikë, po edhe për popullin serb.

“Një fjalor i tillë u ka shkaktuar kriza dhe vuajtje të mëdha popujve, ka shkaktuar edhe gjenocidin në Kosovë nga ana e Serbisë, ku pjesëtarë të këtij regjimi ndër kryesorët kanë qenë dhe Nikoliq edhe Daçiq, po në të njëjtën kohë theksoj se vazhdimi i këtij fjalori nënkupton vazhdimin e humbjeve të tjera të Serbisë në raport me Kosovën, sepse siç është larguar humbëse dhe turpëruese Serbia në vitin 1999, sërish do të ndodhë e njëjta gjë”, tha kryeministri Thaçi.

Sa i përket dialogut të mundshëm politik mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Thaçi tha se “ fillimisht duhet të ndodhin implementimet e të gjitha marrëveshjeve, pastaj janë edhe disa çështje të tjera si telekomunikacioni, energjetika që duhet të diskutohen, por paraprakisht duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel në veçanti IBM-ja dhe bashkëpunimi rajonal që janë parakushte për konsolidimin apo normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Kryeministri Thaçi foli edhe për ndryshimet e mundshme në koalicionin qeverisës, duke i quajtur këto paralajmërime spekulime mediale.

“Do të vazhdohet me mirëqeverisje, me suksese dhe efikasitet në punë. Natyrisht se jemi duke punuar me të gjithë, edhe me opozitën, për disa çështje që janë të rëndësishme, në veçanti për reformën zgjedhore dhe në të njëjtën kohë për perspektivën evropiane për procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Në çdo pikë që na ofron me opozitën, ne do të jemi shumë afër dhe do të jemi shumë mirëkuptues, por qeveria i ka punët e veta dhe opozita në të njëjtën kohë e ka agjendën e vet”, tha kryeministri Thaçi.

KOMENTE