Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ka bërë sot bilancin e një viti, në krye të Bashkisë së Tiranës. Në harkun kohor të një viti, falë reduktimit dhe heqjes së 60 taksave dhe tarifave vendore, hapjes së sportelit unik për lejet dhe licensat, përmirësimit të klimës për biznes, është bërë e mundur që nga 1 gushti i vitit 2011 e deri në korrik të 2012-ës, të regjistrohen 1202 biznese më shumë, se sa në periudhën gusht 2010 - korrik 2011. Në një vit, në Tiranë janë punësuar 6091 persona. Zoti Basha bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ka përfituar një fond prej 700 mijë eurosh, nga BE, për të mbështetur biznesin e vogël, çka do të nxisë edhe më tej shtimin e vendeve të reja të punës.
“Ndryshimi nuk vjen brenda ditës, por progresi është i qartë. Së bashku kemi arritur shumë, por dhe më shumë punë na presin dhe ditët më të mira të Tiranës janë përpara, sepse puna nuk ka përfunduar dhe ne nuk do të rreshtim së punuari, për ta bërë Tiranën, një qytet më të mirë për të jetuar, punuar dhe shijuar jetën” – u shpreh Kreu i Bashkisë z. Lulzim Basha.
Për herë të parë pas 20 vitesh, Tirana ka një Plan të Përgjithshëm Rregullues. Hartimi i tij u bë në harkun kohor të 10 muajve, nga specialistët më të mirë të fushës. Brenda një viti, është zgjedhur projekti fitues për Bulevardin e Ri dhe Lumin e Tiranës. Në nëntor do të jetë gati projekti teknik, nga studioja britanike “Grimshaw”, zbatimi i të cilit nis në pranverë.
“Plani do t’u paraqitet qytetarëve të Tiranës dhe grupeve të interesit për konsultim të gjithanshëm e të vërtetë. Të gjithë vendimet do të merren në transparencë dhe përputhje të plotë me interesin publik, interesin e qytetarëve të Tiranës dhe brezave të ardhshëm. Prona do të trajtohet e barazvlefshme. Mundësitë për zhvillim do të jenë transparente, të parashikueshme dhe të drejta. Pas hyrjes në fuqi, aplikimi për lejet do të zgjasë vetëm 55 ditë, në një ndalesë dhe brenda vitit do të bëhet online. Ky plan i jep fund spekulimit dhe spekulantëve me lejet e ndërtimit” - tha z. Basha.
Kryetari i Bashkisë z. Lulzim Basha ka folur edhe për procesin e hipotekimit. Bashkia e Tiranës ka përfunduar detyrimet e saj dhe ka përcjellë për në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive, 5781 apartamente, me përfitues direkt rreth 24 mijë qytetarë. Në proces janë dhe 97 objekte, nga të cilat 32 ose 1820 drejt përfundimit dhe 65 me shkelje teknike, të cilat do të trajtohen sipas memorandumit të nënshkruar me qeverinë, përkatësisht me Ministrinë e Transportit dhe të Drejtësisë.
“Ndonëse, procesi ka pasur vështirësitë e veta, ne kemi ecur përpara, u kemi dhënë mbi 24 mijë qytetarëve, tapitë apo lejet e përdorimit dhe nuk do të pushojmë, derisa çdo qytetar të ketë në dorë tapinë e banesës, pavarësisht nëse ka qenë apo jo pre apo viktimë e veprimeve të paligjshme të ndërtuesve dhe zhvilluesve” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Po kështu, në bashkëpunim me BERZH, po avancon realizimi i projektit për Terminalin Multimodal të Pasagjerëve, ndërsa po punohet për modelin e financimit. Sa i përket projektit të Tramit, interesi nga kompanitë prestigjoze nga e mbarë bota, është mjaft i madh.
Gjatë këtij viti, është hartuar projekti për Unazën e Madhe (segmenti nga shkolla Teknologjike deri tek qendra “Kristal”), i cili do të tenderohet këto ditë, projekti për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit, i cili po zbatohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
Është drejt përfundimit projekti për sistemimin e shtratit të Lanës, deri në urën e Shkozës, ndërtimi i së cilës do të bëhet nga qeveria shqiptare.
Ka nisur puna për parkimin e parë nëntokësor në Tiranë, në sheshin “Italia”.
Është ndërhyrë për mirëmbajtje dhe janë riparuar 180 rrugë, të cilat ishin tërësisht të amortizuara. Kanë përfunduar projektet dhe kanë përfunduar ose janë në fazë tenderimesh, rikualifikimi urban i 13 blloqeve urbane, ndërtimi dhe rikonstruksioni i 47 rrugëve, 2 urave , 15 shkollave, 14 kopshteve dhe 7 çerdheve, 3 sistem - kanalizime.
Të gjithë këto projekte nisin nga zbatimi brenda këtij viti. Aktualisht po punohet në rrethrrotullimin e Doganës. Brenda këtij muaji, nisin punimet për rrugën e Brrylit dhe ndërtimin e 6 rrugëve të reja në kryeqytet.
Në Tiranë do të sigurohet menaxhimi i trafikut dhe përmirësimi i sigurisë rrugore, i cili parashikon ndërhyrjen në 60 semaforë dhe vendosjen e 9 semaforëve të rinj, 6 pajisje VMS (Tabela informacioni në rrugë, me informacione të ndryshueshme), 23 kamera për vrojtim ditë e natë. I gjithë sistemi do të menaxhohet nga Dhoma e Qendrës Operacionale e Kontrollit, e cila parashikohet në projektin i cili është duke u zbatuar.
Ashtu siç premtoi z. Basha gjatë fushatës elektorale, Bashkia mori përgjegjësitë e saj, përsa i përket Ujësjellësit të Tiranës, duke marrë në administrim aksionet e saj. Në një kohë të shkurtër, përfundoi Ujësjellësi te “Kodra e Priftit”, ku 40 mijë banorë furnizohen me ujë të pijshëm si dhe Ujësjellësi i Kodër – Kamzës, i cili garanton ujë për 25 mijë banorë si dhe ka nisur puna për Ujësjellësin, tek Njësitë 4 dhe 8.
Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ishte një tjetër premtim që u kthye në realitet, që në muajt e parë. Kjo Agjenci dhe Task Forca e ngritur nga Kryetari i Bashkisë, në fund të vitit të shkuar, bëri që qytetarët e Tiranës të mos përjetojnë fenomenin e shëmtuar të abuzimit me çmimet, në prag të festave.
Një nga iniciativat e para, me impakt të madh tek qytetarët e Tiranës, ishte hapja e sheshit “Skënderbej”, vetëm 4 muaj pas marrjes së detyrës nga zoti Basha. Hapja e sheshit “Skënderbej”, ku janë mbjellë 800 pemë, ka çliruar trafikun dhe ka ulur me 30% ndotjen. Dy hapësira të gjelbra i janë shtuar kryeqytetit, lulishtja pas Pallatit të Kulturës dhe tek “Don Bosko”.
Në kryeqytet janë mbjellë 3850 pemë dhe deri në fund të vitit, numri i tyre do të shkojë 10 mijë. Rehabilitimi i Parkut të Liqenit është një tjetër prioritet, i cili po avancon. Në hapësirën e Parkut u mbollën 640 pemë të reja. Po bëhet gati me ndërhyrjen e Ujësjellësit, riparimi i portës, që ka mbetur e hapur, që nga përmbytja e vitit 2002, rregullimi i kolektorit dhe rivendosja e komunikimit ujor për furnizim me ujë, nga liqeni i Farkës. Deri në fund të vitit, do të mbillen 3000 fidanë të rinj.
Në Tiranë janë hapur 10 pika për aplikimin online për Kartën Bashkiake të Studentit, njëra në Bashki, 5 nëpër universitetet publike dhe 4 në fakultete. Shumë shpejt, përfitues të Kartës, do të jenë dhe studentët e universiteteve private.
Qytetarët janë bërë pjesë e rëndësishme e vendimarrjes në Bashkinë e Tiranës, si për buxhetin, projektin e Bulevardit dhe Lumit të Tiranës dhe së shpejti do të jenë pjesë e konsultimit dhe vendimarrjes, për Planin e Përgjithshëm Rregullues.
Gjatë një viti, 66,594 qytetarë/subjekte i janë drejtuar Bashkisë së Tiranës, për të marrë informacione, kryer aplikime, etj; 814 qytetarë janë takuar vetëm me Kryetarin e Bashkisë dhe të gjithë kërkesat e tyre janë trajtuar nga drejtoritë përkatëse.
Në faqen e Bashkisë është programi “Rregulloj qytetin tim”, ku qytetarët mund të denoncojnë çdo problem që kanë në zonën e tyre të banimit. Brenda muajit gusht, në faqen e Bashkisë do të ketë një portal të veçantë, të quajtur e-pjesëmarrje. Në këtë portal, qytetarët do të japin mendimet, sugjerimet, të bëjnë pyetje dhe komente, duke nisur me Planin Urbanistik, më pas me buxhetin e çdo iniciativë tjetër të Bashkisë.
“Gjithçka që kemi arritur në këtë vit të parë, e kemi arritur sepse qytetarëve u është rikthyer besimi tek ky qytet, besimi tek vetja e tyre, besimi tek e ardhmja. Kjo, pasi ne provuam se çfarë mund të arrijmë, nëse lëmë mënjanë trumpetat e konfliktit politik dhe punojmë sëbashku, për të arritur atë që dëshiron çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike, moshës, origjinës apo statusit social” - tha Basha.