Kryeministri Berisha do të niset nesër në mëngjes për në Londër, ku do të ndjekë ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike 2012, në të cilat Shqipëria përfaqësohet me një ekip, i cili do të garojë në 5 disiplina sportive. Në këtë vizitë Kryeministri do të shoqërohet edhe nga Ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, zoti Aldo Bumcci.
Para fillimit të saj, Kryeministri Berisha do të përshëndesë sportistët shqiptarë të ekipit olimpik, në një pritje të organizuar në ambasadën e Shqipërisë në Londër. Kryeministri Berisha do t’i urojë sportistëve tanë suksese në këto Lojëra, me besimin se ata do të dinë të tregojnë vlerat më të mira të tyre dhe se do të arrijnë të tejkalojnë rezultatet e tyre në disiplinat përkatëse.
Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja, zonja Liri Berisha do të marrin pjesë në pritjen që Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar Elizabeth II do të japë në Buckingham Palace, për nder të liderëve botërore, që do të ndjekin ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olipmike Londër 2012.