English

Hoxhaj: Shqipëria, partner i fuqishëm diplomatik, politik, tregtar, arsimor dhe kulturor për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur dje në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti.
Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj dhe Ministri Panariti kanë diskutuar për zhvillimet dhe progresin që po arrihet në të dyja vendet, bashkëpunimin e fuqishëm bilateral në të gjitha aspektet, avancimin e proceseve integruese dhe për rritjen e aktiviteteve të përbashkëta për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Pas takimit, dy ministrat kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për median.

Ministri Enver Hoxhaj, para gazetarëve ka uruar Ministrin Panariti për detyrën e re në krye të diplomacisë shqiptare, duke shprehur mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e madhe diplomatike që shtetit shqiptar po jep për Kosovën.

Hoxhaj tha se Shqipëria është një partner i fuqishëm diplomatik, politik, tregtar, arsimor dhe kulturor për Kosovën, dhe se dy vendet tona kanë një histori, gjeografi kulturë dhe vizion për integrim evropian.

Ai po ashtu theksoi se gjatë takimit është biseduar për tema që fillojnë që nga heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës deri te 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, duke i vlerësuar këto momente si dëshmi të ardhmërisë së ndritshme të të dy popujve tanë.

Ndërsa, lidhur me bashkëpunimin ekonomik, Hoxhaj tha se është diskutuar për funksionalizimin e plotë të grupit për bashkëpunim ekonomik, të krijuar më herët, me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në të gjitha aspektet.

“Por, mbi të gjitha, është një vendosmëri e jona që të eliminohet çdo pengesë në bashkëpunimin tregtar ndërmjet dy vendeve tona. Dua po ashtu të ju përcjellë një lajm se Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari, ka vendosur ta përmbyll masën administrative të përkohshme sa i takon importit të çimentos me 1 gusht të këtij viti, lajm ky i bërë i ditur në takimin e ministrave të jashtëm”, tha Hoxhaj.

Ai po ashtu theksoi interesimin e Kosovës që ta ketë mbështetjen e Shqipërisë sa i përket integrimeve evropiane, sidomos në fushën e liberalizimit të vizave dhe sa i takon studimit të fizibilitetit, në mënyrë që Kosova sa më shpejt ta nënshkruajë marrëveshjen e stabilizim-asocimit me institucionet në Bruksel.

Në anën tjetër, Edmond Panariti u shpreh i nderuar, i privilegjuar dhe i emocionuar që vizitën e parë si Ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë po e zhvillon në Kosovë.

Ministri Panariti ka vlerësuar progresin cilësor që Kosova ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe të suksesshme si shtet i pavarur, gjë që, siç u shpreh ai, kulmoi me përmbylljen e mbikëqyrjes së institucioneve të Kosovës, marrjen e udhërrëfyesit të vizave dhe nisjen e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e stabilizim-asociomit.

“Nuk ka se si të mos e shikojmë me admirim dhe me mbështetje të plotë këtë konsolidim institucional të Kosovës, për një zhvillim ekonomik, për prosperitet dhe për ndërtimin e një shoqërie multietnike sipas parametrat evropian, ku respektohen të drejtat e të gjithë komuniteteve dhe minoriteteve”, deklaroi Panariti.

A tha po ashtu se Shqipëria do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më intensivisht me institucionet tashmë plotësisht sovrane të Kosovës, në proceset integruese euroatlantike që ka nisur.

“Heqja e pavarësisë së mbikëqyrur është dëshmia më e mirë e konsolidimit dhe fuqizimit të këtyre institucioneve të cilat tashmë janë të gatshme për të ushtruar sovranitet dhe administrim të plotë në të gjithë territorin e Kosovës”, tha Ministri i Jashtëm i Shqipërisë.

Panariti theksoi se Shqipëria në koordinim me institucionet e Kosovës do të intensifikojë proceset diplomatike për të bërë të mundur avancimin e procesit të njohjeve të reja të Republikën e Kosovës.

Ai ka folur edhe për zhvillimin e mëtejshëm të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave e shërbimeve, duke thënë se asnjë pengesë, as patatja as çimentoja, nuk mund të pengojnë këtë intensitet të madh të lëvizjes së lirë ndërmjet dy vendeve dhe se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jetë një model për t’u ndjekur nga të gjitha vendet e rajonit.

Lidhur me deklaratat e fundit të disa përfaqësuesve të Republikës Serbe, të cilët i kanë bërë thirrje serbëve të veriut të Kosovës që të armatosen, Ministri Hoxhaj tha se deklaratat e tilla janë të kota, nga një përfaqësues i kotë, i një krijese politike të krijuar mbi viktimat e gjenocidit të ushtruar ndaj boshnjakëve. “Republika Serbe është një krijesë gjenocidiale dhe si e tillë deklaratat e tilla ne nuk i marrim seriozisht dhe nuk kanë kurrfarë efekti në jetën politike të Kosovës. Janë deklarata të cilat reflektojnë një memorie të keqe të asaj se si është krijuar Republika Serbe”, tha Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka komentuar edhe qëndrimet e Vuk Jeremiqit lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB, duke thënë se Serbia ka humbur politikisht, ushtarakisht dhe në rrafshin diplomatik në Kosovë dhe rreth Kosovës dhe se deklaratat e një ministri në shkuarje e sipër nuk duhet të merren seriozisht. “Askush nuk mund ta ndalë rrjedhën e historisë, askush nuk do ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në institucionet evropiane”, tha Hoxhaj.

KOMENTE