Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës informon opinionin publik se, pas analizave të kryera nga Departamenti i Tregtisë, Ministrja e Tregtisë dhe Insustrisë znj. Mimoza Kusari-Lila ka nënshkruar vendimin për përfundimin e masave mbrojtëse në import të çimentos. Vendimi hyn në fuqi me datën 1 gusht dhe largon plotësisht taksën prej 35% të aplikuar gjatë përiudhës së masave të përkohshme.
Masat e perkohshme, të ndërmarra me 11 qershor 2012, kanë arritur qëllimin e tyre meqë kanë parandaluar fluksin e pakontrolluar të importit të çimentos, posaçërisht gjatë sezonit të ndërtimit. Ato gjithashtu kanë siguruar stabilitet për prodhuesin vendor dhe kanë mundësuar shtim të kapaciteteve vendore në industrinë e ndërtimit.
Arsyet që kanë shtyrë në çrregullimin e tregut të çimentos, kanë të bëjnë me fluksin e çimentos së lirë nga Italia, e cila edhe përkundër taksës ka vazhduar të importohet në Kosovë, por edhe me vështirësitë në procesin e prodhimit në Kosovë të lidhura me qasjen në lëndë të parë, përditësimin e teknologjisë prodhuese dhe kushtet e përgjithshme fiskale në Kosovë.
Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë e Shqipërisë për të adresuar importin e çimentos së lirë nga Italia. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke punuar në hartimin e një liste të plotë të produkteve vendore për të cilat do të shqyrtohet marrja e masave sezonale për mbrojtjen nga importi i pakontrolluar. Në javët e ardhshme, MTI-ja do të bëjë publike hulumtimet edhe në dy fusha të tjera të prodhimit në Kosovë.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të vazhdojë që së bashku me Ministritë e tjera në kuadër të Qeverisë së Kosovës, të shikojë dhe të gjejë mënyra për të siguruar një ambient sa më të mirë operues për të gjitha kompanitë prodhuese, pa marrë parasysh prej nga vijnë dhe në pronësi të kujt gjenden ato.
Përkundër zhurmës së krijuar nga individ të caktuar për t’ju shërbyer interesave personale, MTI beson se mënyra e zhvillimit të procesit, në përputhje të plotë me Ligjin për Masat Mbrojtëse, ka treguar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t’ju ndihmojë prodhuesve vendorë me qëllim të sigurimit të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.