English

Thaçi vizitë në Bruksel me ftesë të baroneshës Catherine Ashton

Me ftesë të baroneshës Catherine Ashton, dje Kryeministri i Republikës së Kosovës ishte për një vizitë një-ditore në Bruksel, i shoqëruar nga Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi dhe Ministrja për Integrim Evropian Vlora Çitaku.

Në takimin me Përfaqësuesen e Lartë/Zëvendës Presidenten Baroneshën Ashton, Kryeministri e ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj perspektivës evropiane dhe foli rreth projekteve që qeveria e Republikës së Kosovës do të ndërmerr gjatë muajve në vazhdim. Në takim u bisedua për marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës, për zhvillimet e përgjithshme të fundit në vend si dhe për dhe çështjet e rëndësishme rajonale.

Temë bosht e takimit ishte avancimi i Kosovës në rrugën e saj evropiane. Kryeministri bëri një përshkrim të arritjeve të fundit të qeverisë në fushat prioritare të reformave përfshirë sundimin e ligjit, zhvillimin e përgjithshëm socio- ekonomik të vendit si, integrimin e komuniteteve në pakicë dhe bashkëpunimit rajonal. Në takim poashtu u bisedua edhe për çështjen e vazhdimit te mandatit te EULEX-it në Kosovë.

Kryeministri Thaçi foli për nevojën e realizimit e premtimeve të dhëna nga Bashkimi Evropian të ndërlidhura me perspektivën evropiane të vendit. Kryeministri posaçërisht theksoi rëndësinë e lëvizjes së lirë dhe pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe rëndësinë e kontraktualizimit të marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës. Ai tha që ky do të ishte hapi i parë formal e domethënës mes dy palëve, mundësitë e të cilit do të përshpejtonin dukshëm avancimin e Kosovës drejt BE-së.

Në këtë kontekst, Kryeministri foli edhe për punën që institucionet e kanë bërë që nga qershori kur misioni vlerësues i ekspertëve të BE-së vizitoi Kosovën në kuadër të përgatitjes së studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen për Stabilizim Asociim (MSA), me ç’rast edhe përcolli besimin e tij të plotë mbi gatishmërinë e institucioneve për të nënshkruar dhe negociuar një marrëveshje të tillë.

Më tej, Kryeministri dhe baronesha Ashton biseduan edhe rreth çështjeve rajonale. Kryeministri dhe Baronesha shkëmbyen mendime rreth ecurisë së deritashme të dialogut Prishtinë – Beograd të lehtësuar nga BE-ja si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë dialog. Ishte konkludim i përbashket se zbatimi i marrëveshjeve të arritura në praktikë është imperativ për mundësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

KOMENTE