English

Berisha përshëndet ekipin tonë olimpik në Londër

Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në pritjen që Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar Elizabeth II do të japë në Buckingham Palace. Para saj, Kryeministri do të zhvillojë në Buckingham Palace, një takim të veçantë me Kryeministrin britanik David Cameron.

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Londër për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Londër 2012, pati sot një takim shumë të ngrohtë me ekipin olimpik shqiptar, stafin e trajnerëve dhe atë organizativ që e shoqëron, në një pritje të organizuar në ambasadën e Shqipërisë në Londër.

Në pritje ishte e pranishme edhe Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ministrat e Kulturës dhe Sporteve Aldo Bumci dhe ai i Kosovës Memli Krasniqi, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Londër dhe miq britanikë me kontribut në zhvillimet e të Shqipërisë.

Kryeministri Berisha u uroi sportistëve suksese në garimin e tyre, duke shprehur njëherësh besimin se në këtë garë, ata do të arrijnë të zënë vendet që meritojnë. “Suksesi i juaj i parë – u shpreh Kryeministri - është që jeni këtu si përfaqësues të kombit shqiptar. Ndaj jam i bindur se në këtë garë, më e bukura që organizon njerëzimi, ju do të nderoni veten dhe kombin tuaj.”

Një përshëndetje të veçantë, Kryeministri Berisha i drejtoi sportistet Majlinda Kelmendi, e cila garon në disiplinën e xhudos, për prezencën e saj në ekipin olimpik. “Ju vini këtu si ekipi i një kombi të bashkuar dhe kjo e ka simbolikën e madhe. Majlinda, ti je faktori më kryesor i këtij ekipi të përbashkët dhe të gjithë jemi tifozët e tu dhe kemi shumë besim se ky akt i yti do të kurorëzohet me suksesin që ti meriton dhe të gjithë sportistët tanë meritojnë,” - u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha falënderoi edhe miqtë britanikë jo vetëm për prezencën në pritje, por edhe për mbështetjen që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe angazhimin e kahershëm të tyre në zhvillimet në vend.

Presidentja Jahjaga uroi gjithashtu sportistët olimpike për suksese në këto Lojëra. Të gjithë, tha Presidentja Jahjaga, kemi sot, ndjenjën e sportit dhe shpirtin e sportistit, duke theksuar se edhe prezenca në Londër ishte një përkrahje e fuqishme për ekipin tonë.

Kreu i delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike Viron Bezhani, në emër të të gjithë ekipit, tha se ëndrra e sportistëve është ngritja lart e flamurit shqiptar dhe se ata do përpiqen shumë ta arrijnë.

KOMENTE