Para disa ditë kompania e energjisë elektrike CEZ ka njoftuar se në kuadër të garantimit të furnizimit sa më cilësor me energji elektrike të klientëve të rregullt, ka nisur së fundmi një fushatë për ndërprerje e lidhjeve të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes dhe ndërprerjen e furnizimit me energji të klientëve debitorë.
Ekipet e CEZ Shpërndarje do të jenë në ato zona të Shqipërisë ku mospagesa e e energjisë elektrike është mjaft e lartë.
Por sot situata në komunën Maqellarë dhe Melan, u bë problematike deri në ndërhyrjen e forcave të policisë të cilët kanë ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesëve.
Rreth 4 mijë banorë të këtyre komunave u mblodhen përpara nënstacionit të energjisë elektrike në fshatin Vojnik, të rrethit Dibër.
Gjatë kësaj proteste ata u irrituan disa herë për t’u përleshur me punonjësit e nënstacionit, por u qetësuan nga drejtuesit e protestës, si edhe nga forca të shumta policie që kanë rrethuar nënstacionin.
“CEZ Shpërndarje” ka bërë ndërprerjen e energjise pasi konsumatoret kanë vite të tëra pa paguar. Ndërsa kryetari i komunes Maqellare shprehet se debitoret problematike janë jo më shumë se 15 %, ndaj dhe nuk ka pse të ndëshkohen edhe ata që kanë paguar.
”I kam bërë të gjitha përpjekjet, kam komunikuar deri em kryeministrin, por situata mbetet e pazgjidhur. CEZ Shpërndarje thotë se banorët janë 100% debitorë, por ky është një pretendim absurd, i padrejtë dhe antinjerëzor”, deklaroi Kryekomunari Bardhyl Agolli.
Zona e Maqellarës, e cila është në errësirë totale ka gjithsej 14 mijë e 500 banorë në 22 fshatra. Prej disa javësh, CEZ është hedhur ne veprim jo vetëm duke shkëputur lidhjet ilegale, por duke ndërprere energjinë në zonat ku konsumatoret janë debitorë prej shumë vjtesh.
Ndërsa CEZ Shpërndarje vazhdon të theksojë se garanton furnizimin me energji elektrike vetëm për ata konsumatorë të cilët paguajnë detyrimet e tyre financiare. CEZ Shpërndarje është e vendosur të mos lejojë që konsumatorët të vjedhin apo mos paguajnë energjinë elektrike duke tejkaluar afatet kontraktuale. Punonjësit e kompanisë, në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe policinë do të vazhdojnë të punojnë në të gjitha zonat problematike në të gjithe vendin për të bërë arketimet e debive të konsumatoreve debitorë. Të gjithë ata klientë debitorë që do të vazhdojnë të injorojnë detyrimet për pagesat e faturave të energjisë, do të kallëzohen nga kompania për ndjekje penale në Prokurori, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.