Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi, me mbështetjen e plotë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, që nga fillimi i trazirave në Siri, sikurse gjatë trazirave në Tunizi, Egjipt, Libi dhe Jemen, ka treguar interesim të vazhdueshëm dhe ka bërë çdo gjë që ka pasur mundësi për evidentimin, kontaktimin si dhe ofrimin e çdo lloj ndihme të mundshme për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe bashkatdhetarët e tjerë në këtë shtet.
Që në vitin 2011, konkretisht më 28 dhe 29 prill 2011, dhe më pas edhe më 3 maj 2012, pas përkeqësimit të situatës në Siri, për shkak të trazirave politike dhe paralajmërimeve për protesta masive, MPJ e Kosovës dhe Ambasada e Kosovës në Turqi, kanë bërë të mundur evidentimin, dhe evakuimin në grupe, të qytetarëve të Kosovës, familjeve dhe studentëve, që jetonin në këtë shtet dhe ua ka mundësuar atyre kthimin në Kosovë.
Në këtë periudhë, për shkak të problemeve me disa dokumente, në Siri është identifikuar që të ketë mbetur vetëm një familje me shtetësi kosovare me mbiemrin Ahmeti, e cila, tashmë ndodhet në aeroportin e Bejrutit dhe gjatë ditës është nisur për në Stamboll me familjen e tij. Sipas fjalëve të kryefamiljarit, familja e tij është familja e fundit nga Kosova në Siri.
Aktualisht në Siri, sipas informatave tona, nuk ka mbetur asnjë qytetar i Republikës së Kosovës, por kanë mbetur shtetasit sirianë, me prejardhje nga Kosova, të cilët, historikisht, që nga koha e Perandorisë Osmane dhe më tutje janë zhvendosur në Siri.
Ambasada e Kosovës në Turqi, por edhe Ambasada e Kosovës në Arabinë Saudite,
në vazhdimësi janë interesuar dhe kanë kontaktuar edhe me diasporën e hershme kosovare dhe shqiptare në Siri, duke u interesuar për fatin e tyre si dhe për të ofruar ndonjë ndihmë eventuale.
Ambasada e Kosovës në Ankara, ka vendosur kontakte me përfaqësues të kësaj pjese të diasporës së hershme kosovare në Siri, dhe ka ofruar ndihmën e saj në rast se lajmërohen
pranë ambasadave të Turqisë, kontaktojnë me Ambasadën e Kosovës në Ankara apo edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, nga shtetet përreth Sirisë, si Libani, Turqia apo Jordania.
Ambasada e Kosovës në Turqi po përkujdeset që të ofrojë mbrojtje dhe ndihmë imediate të shtetit të Kosovës për këtë pjesë të diasporës sonë.
Ambasada e Kosovës në Turqi, po ashtu ka kontaktuar me Drejtorinë e Administratës për Gjendje Emergjente dhe Fatkeqësitë Natyrore në kuadër të Kryeministrisë së Republikës së Turqisë, si dhe me Prefekturën e Hatajit në cilën gjenden kampet e refugjatëve sirianë, duke kërkuar informacione për mundësinë që ndonjë pjesëtar i diasporës së hershme kosovare të mund të gjendet në kampet e refugjatëve sirianë, të cilat janë hapur në Turqi.
Personat përgjegjës kanë informuar zyrtarët e Ambasadës së Kosovës në Turqi se në këto kampe deri më tani nuk është paraqitur asnjë person i cili mund të jetë shtetas i Kosovës apo pjesëtar i diasporës së hershme kosovare, dhe se në momentin që ndonjë qytetar i tillë do të lajmërohet, zyrtarët e kampeve do të njoftojnë Ambasadën e Kosovës në Ankara.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi është në kontakt edhe me institucionet tjera turke për gjendjen si dhe për zbardhjen e fatit të personave me prejardhje Kosovare/Shqiptare në Siri.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi do të vazhdojë angazhimin e saj të fuqishëm për të kontaktuar dhe për t’u informuar për fatin e çdo qytetari të Kosovës dhe çdo pjesëtari të diasporës së hershme kosovare dhe shqiptare në Siri, si dhe do t’u ofrojë atyre çdo ndihmë të mundshme në rast se do të kenë nevojë. Po ashtu, Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi bënë thirrje qytetarëve të Kosovës në rast se posedojnë informacione për kosovarët që mund të ndodhen eventualisht në Siri, të lajmërohen tek Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi.