Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha i ridrejtoi edhe një herë thirrje opozitës dhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama që në 6 gusht të votojnë ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit.
Kryeministri vuri në dukje se, në historinë e politikës botërore, nuk ekziston as edhe një rast i vetëm në të cilin opozita kundërshton heqjen e imunitetit, në të cilin opozita e do qeverinë dhe qeveritarët me imunitet.
Nga heqja e imunitetit, theksoi Kryeministri, humbasin vetëm ata të cilët u duhet imuniteti për të mbrojtur pasurinë e tyre të paligjshme, veprimtarinë e tyre të paligjshme. Por fiton çdo shqiptar, fiton politika shqiptare e cila bëhet më transparente, fiton shoqëria shqiptare, e cila me këtë akt madhor bën më transparent zyrtarët e saj, fiton vendi sepse hedh dritë në një rrugë, në rrugën e integrimit, lehtëson këtë proces dhe bën një dëshmi serioze të vullnetit të hekurt të shqiptarëve për t’u bashkuar me Evropën.
Kryeministri tha se mazhoranca i ka bërë zotit Rama çdo lëshim të mundshëm, me qëllim që ai të lejojë grupin e tij parlamentar të votojë në datën 6 gusht heqjen apo kufizimin e imunitetit.