English

Tavo sektorit shëndetsor: Respektoni oraret e punës dhe etikën profesionale në veçanti

Masat për përballimin e sezonit të verës dhe menaxhimi i situatës në muajin gusht, kur dhe lëvizja e popullatës është më e madhe, kanë mbledhur në Ministrinë e Shëndetësisë drejtues të poliklinikave, urgjencës dhe qendrave shëndetësore të Tiranës. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo ka komunikuar direkt me drejtuesit e institucioneve shëndetësore të kryeqytetit.

“Doja të tërhiqja dhe njëherë vëmendjen ndaj sistemit shëndetësor për të qënë në gadishmëri të plotë dhe për të organizuar punën me të gjithë stafin mjekësor, gjatë muajit gusht”, u shpreh Ministri Tavo, duke kaluar në detyra konkrete ndaj drejtuesve të poliklinikave dhe qendrave shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë, ka kërkuar më shumë kujdes gjatë ditëve të nxehta, për të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët e vegjël, si grupe në rrezik. “Duhet t’i referoheni me kujdes, në çdo rast, protokolleve mjekësore për moshën e tretë, tashmë të disponueshme nga të gjithë”, u shpreh z.Tavo.

Respektimi i orarit në punë dhe etika profesionale në veçanti, ishin dy çështje të cilave Ministri Tavo, u ka dhënë prioritet, duke tërhequr vëmendje për raste të caktuara.

“ Kërkoj nga ju respektim të orarit të shërbimit, sidomos, turnit të dytë, në orët e vona të mbasdites. Në çdo rast popullata duhet të marrë shërbimin shëndetësor dhe të ketë informimin e duhur, ku të adresohet në rast nevoje”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, duke u ndalur më pas në etikën profesionale.

“Sjellja e punonjësve të shëndetësisë në çdo rast duhet të justifikojë bluzën e bardhë që mbajnë. Nuk do të doja që raste të veçuara, si Urgjenca e Tiranës, të përsëriten”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, duke marrë shembull shqetësimin e një qytetari të kryeqytetit. Sipas Ministrit Tavo, rasti në fjalë po analizohet në strukturat e Tiranës dhe do të shoqërohet me masat përkatëse, duke mos mbetur thjesht në kuadër të konstatimit. "

Në fund të fjalës së Tij z. Tavo ka kërkuar dhe një herë nga përfaqësuesit e poliklinikave dhe qendrave shëndetësore, vëmendje këshilluese, veçanarisht për të moshuarit që nisen me pushime, në mënyrë që të kenë siguruar barnat nga mjeku i tyre i familjes. Por dhe një kategori tjetër të moshës së tretë, të moshuarit e vetmuar, pasi pjestarët e familjes largohen me pushime. Në këtë rast qëndrimi i strukturave duhet të jetë proaktiv me vizita në shtëpi nga infermierët ose komunikim telefonik i personelit shëndetësor me shtëpitë e tyre.

“Kujdes i veçantë për fëmijë, në veçanti ato 0-1vjeç në lidhje me virozat , diarrete, goditjet nga dielli. Të jenë në gadishmëri të plotë dhe të funksionojnë pikat e rehidrimit pranë qendrave shëndetësore dhe poliklinikave për urgjencat e kësaj moshe”, ka përfunduar fjalën e tij Ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo.

Ruajtja e shëndetit mund të arrihet përmes veprimeve të përbashkëta të qytetarëve dhe strukturave të shëndetësisë, për zbatimin e këshillave dhe rekomandimeve të duhura për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari.

Disa nga masat për të mbrojtur shëndetin nga temperaturat e larta

• Të evitohet, nëse është e mundur, dalja nga shtëpia në orët e nxehta të ditës 11.00 – 17.00.

• Të vishemi në mënyrë të përshtatshme.

• Të përdoren mjete mbrojtëse ndaj rrezeve të diellit

• Të konsumohen lëngje ose ujë në mënyrë të mjaftueshme të paktën deri 2 litra në ditë.

• Të gatuhet dhe të ruhen ushqimet në mënyrë të sigurt.

• Të tregohet kujdes për fëmijët, të moshuarit, personat e sëmurë apo edhe të vetmuar .

KOMENTE