Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka shkruar një letër Shkëlqesisë së tij, Kancelarit Austriak, Werner Faymann, për t’i shprehur shqetësimin në lidhje me skandalin e Lotarisë Kombëtare.
Në letër Kryetari i PS vë në dukje faktin se forca politike që ai drejton i është mirënjohëse qeverisë së Austrisë dhe biznesit Austriak që investon në Shqipëri.
Rama shkruan në këtë letër drejtuar Kancelarit të Austrisë Faymann se mbrojtja e interesit publik është themelore: “Duke patur parasysh mbrojtjen e interesit publik si prioritetin tonë më të lartë, unë do të dëshiroja të sillja në vëmendjen Tuaj se, në disa raste të ndryshme, muajt e fundit, unë kam denoncuar publikisht procesin që është ndjekur nga Qeveria aktuale Shqiptare, për të dhënë një Licencë të Lotarisë Kombëtare, si një proces qartazi të manipuluar kundër interesit publik.”
Lideri i opozitës po ashtu në letrën dërguar Kancelarit të Austrisë e informon se PS do i bëjë thirrje Austrian Lotteries që të tërhiqet nga ky proces, i cili nuk është transparent, i cili shkon kundër interesave të Shtetit Shqiptar dhe publikut Shqiptar, si edhe të gjitha rregullave e standardeve nën të cilat e njëjta kompani vepron në Austri.