Në prag të seancës parlamentare për votimin e draftit për kufizimin e imunitetit të deputetëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të vendit, Kryeministri Berisha i bëri sërish thirrje opozitës për ta votuar bashkërisht draftin, “në një akt historik”, që mirëpritet nga shqiptarët.
“Mos heqja e imunitetit, - tha Kryeministri, - dëshmon se politikanët e këtij vend nuk kanë vullnetin për të luftuar korrupsionin dhe nuk po kërkohet asgjë tjetër, por ajo, e cila është një normë sot, në vendet anëtare të BE-së.”
Kryeministri Berisha informoi se ka marrë një letër nga komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Europian, zoti Stefan Fyle, në të cilën vlerësohet progresi i bërë në sajë të bashkëpunimit, por kërkohet që ky bashkëpunim të vazhdojë me kompletimin e reforma të tjera, para së gjithash, reformës së imuniteteve.
Duke e ftuar kryetarin e Partisë Socialiste që grupi parlamentar i PS-së të votojë në 6 gusht draftin për kufizimin e imunitetit, Kryeministri tha se kjo datë nuk u caktua nga mazhoranca, por nga parlamenti shqiptar në konsensus të plotë, “në përputhje me amendamentin që grupi socialist e ka sjellë në vitin 2008, për procesin e ndryshimeve të Kushtetutës.”