English

Bregu: Heqja e imunitetit i vetmi detyrim i paplotësuar

Imuniteti, heqja e tij, si një kusht për të marrë në vjeshtën e këtij viti, një përgjigje pozitive , mbi statusin e vendit kandidat, është i vetmi detyrim i paplotësuar brenda kalendarit që kemi miratuar së bashku me Komisionin Paralamentar të Integrimit.
Gjatë këtij viti Ministria e Integrimit ka qenë tërësisht e fokusuar në përgatitjen, monitorimin dhe zbatimin e Planit të Veprimit prej 12 pikash.
Në çdo hap të këtij procesi jemi konsultuar ngushtësisht me Komisionin Parlamentar të Integrimit, shoqërinë civile dhe padyshim Komisionin Evropian. Të bindur se ky proces ka kaluar testin e gjithpërfshirjes, kemi mirëpritur propozimet dhe komentet si dhe kritikat e palëve të përmendura më lart.
Në çdo takim në Tiranë apo në Bruksel kam vlerësuar sinqerisht kontributin e opozitës në përmbushjen e detyrimeve, të paketës së nëntorit.
E bindur se integrimi është një axhendë mbarëkombëtare, kam vlerësuar impenjimin serioz të Kryetarit të Komisionit të Integrimit, zotit Ditmir Bushatit.
Përtej retorikës politike që shpesh na ndan, jam ndjerë e sigurtë, sa herë jam thirrur në Komision të Integrimit, nga zoti Bushati dhe zoti Balla kur ata kanë premtuar për kontributin e opozitës në plotësimin e 12 prioriteve.
Një pjesë prej tyre janë detyrime të institucioneve dhe agjencive qeveritare. Një pjesë e tyre që kërkonin vullnet dhe konsensus politik, siç ishte dhe reforma zgjedhore, janë plotësuar.
Sot kemi një çështje urgjente për t’u zgjidhur heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, e kërkuar hapur për të qenë detyrim në Planin e Veprimit, brenda prioriteti 8, që është lufta kundër korrupsionit.
Sot unë vazhdoj të shpresoj se kërkesa për ta votuar heqjen e imunitetit brenda muajit korrik, e bërë si nga zoti Bushati, në cilësinë e kryetarit të Komisionin të Integrimit, ashtu dhe nga zoti Balla, si dhe e miratuar në Komision të Integrimit, të mos kenë qenë vetëm fjalë në erë.
Citoj zotin Bushati në komisionin e integrimit në 30. 4. 2012: “Ia vlen të theksohet një gjë që imunitetin e çdo deputeti të opozitës e keni praktikisht, sepse keni votat në Parlament”.
Po në këtë mbledhje citoj zotin Balla: “Pozicioni ynë është i qartë edhe për çështjen e imunitetit. E kemi thënë shumë përpara jush që çështja e imunitetit nuk është çështje e vullnetit politik të opozitës, por është e mungesës së vullnetit politik të qeverisë suaj”.
Eshtë e pesta herë që kjo maxhorancë sjell insiativën për heqjen e imunitetit, këtë radhë me një variant të zgjedhur tërësisht nga opozita, të hartuar tërësisht nga ekspertë ndërkombëtarë, të pasuruar tërësisht me komentet e opozitës. Pra me datën 6 gusht ne do të votojme variantin e opozitës.
Në votimin tonë të fundit, në shkurt të 2011-ës, në Paralament, ku maxhoranca në pamundësi të votave, votoi heqjen e imunitetit sipas modelit të Bundestagut gjerman, të gjithë kolegët e opozitës, janë shprehur se rruga e vetme do të ishin ndryshimet kushtetuese.
Citoj nga procesverbali i sesancës parlamentare të datës 24 shkurt 2011:
ZotinFatmir Xhafa: “ Ka vetëm një rrugë të drejtë dhe të ndershme për të kufizuar imunitetet e të gjithë funksionarëve të lartë që e gëzojnë këtë privilegj: përmes një amendimi kushtetues që përfundimisht do të kufizonte imunitetin jo gjasme siç thoni ju, por realisht dhe në mënyrë të pakthyeshme për deputetin, për gjyqtarin po e po, por para së gjithash për qeveritarët dhe të gjithë ata që lëvizin milionat në duart e tyre të veshura me dorashka profesionisti imunitare dhe të legalizuara me vendime kolegjiale”.
Zoti Erjon Braçe:“ Ne jemi akoma më të vendosur të mos ia japim atë Kryeministrit të vendit, faktuar si një abuzues me pushtetin, faktuar si një kundërshtar i egër i opozitës, faktuar si një njeri, që prej armëve të Qeverisë së tij, janë vrarë njerëz të zakonshëm në këtë vend. T’i japim ne atij imunitetin? Jo. Ne ua japim institucioneve kushtetuese imunitetin, në bazë të Kushtetutës së këtij vendi. Drejt kësaj rruge duhet të shkojmë”.
Zoti Damian Gjiknuri: “ Hajde, të ndryshojmë Kushtetutën për të qenë më mirë, pasi këtë e kanë thënë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë që në vitin 2008, sepse imuniteti nuk është një privilegj, nga i cili mund të hiqet dorë siç duam ne, por është një garanci kushtetuese dhe ka një procedurë kushtetuese me vendim”.
Zonja Vasilika Hysi: “ Nëse jeni për heqjen e imunitetit, atëherë le të kalojmë në ndryshimin e Kushtetutës dhe të heqim imunitetin për deputetët, për ministrat jo deputetë, për gjyqtarët dhe të garantojmë sistemin gjyqësor dhe opozitën dhe ju si deputetë të ushtroni detyrat e tuaja pa presion ndaj tyre”.
Nëse e mbani mend kjo ka qenë një nga seancat më të gjata të Parlamentit Shqiptar. Kam cituar këtu vetëm deklaratat e një pjese të eksponentëve të Partisë Socialiste, të cilët janë persona që njohin ligjin, njohin rregullat dhe kushtetuën e këtij vendi, dhe të gjithë janë shprehur për heqjen e imunitetit, me ndryshimin kushtetues.
Në datën 6 gusht, maxhoranca do të votojë heqjen e imunitetit, ashtu siç e kërkoi opozita, pra me ndryshim kushtetues.
Qytetarët e këtij vendi, pavarësisht bindjeve të tyre, na duan një ditë e më parë pa imunitet dhe të barabartë me ta para ligjit.
Nëse opozita mendon akoma se korrupsioni është një e keqe që duhet zhdukur, një sfidë që duhet fituar, se ministrat pa imunitet, janë një mundësi më shumë për luftën e saj politike kundër maxhorancës, nëse opozita ende vepron sikurse shprehet, nëse opozita është institucion i këtij vendi dhe jo pengmarrje e Ramës dhe e frikës së tij, nëse opozita është ajo që vepron siç deklaron, atëherë sot i bëj thirrje vokacionit evropian të zotit Bushati, vokacionit politik të zotit Braç, vokacionit ligjor të zotir Xhafa e zonjës Hysi, vokacionit tradicional shqiptar të zotit Ruçi, që thotë se burri e mban fjalën, si dhe vokacionit të të gjithë deputetëve socialistë, që kanë ardhur në parlament për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë, ta mbajnë fjalën!
6 gushti është shansi për të çuar përpara axhendën kombëtare të integrimit!
Braktisja e këtij shansi nga opozita është ribllokim i procesit të integrimit!
Shqiptarët dhe Shqipëria kanë humbur 2 vjet kohe, nga papargjegjshmëria e Edi Ramës!
Asnjë shqiptar nuk i ka borxh Edi Ramës të humbasë përsëri shansin e merituar, vetëm sepse ai kërkon të mbrojë lidhjet e tij të dukshme e të padukshme me krimin , paligjshmërine dhe korrupsionin!
Në fund të deklaratës së saj, ministrja Bregu i është përgjigjur interesit të medias
Pyetje:
Zonja Bregu a mundet maxhoranca të vlerësojë mundësinë e shtyrjes së datës së votimit për heqjen e imunitetit, për në sesionin e ardhshëm, në shtator, duke qenë se opozita këmbëngul se duhet votuar një paketë e re me ndryshime kushtetuese?
Data 6 gusht sjell bashkë moralin dhe vullnetin politik të forcave politike shqiptare dhe është një detyrim për të respektuar rregullat dhe ligjet e këtij vendi. Në ndryshimet e rregullores së Parlamentit, me një propozim e amendim të Partisë Socialiste në 2008-ën është përcaktuar detyrimi i votimit të nismave për ndryshimin e Kushtetutës, një detyrim ky që përcakton fare qartë se kur një raport i pregatitur nga Komisioni i Ligjeve, i firmosur nga të dy raporterët, sikurse ka ndodhur në këtë rast nga zoti Paloka dhe zoti Majko, ka dalë dhe është dorëzuar, duhet të votohet në seancë plenare, jo dy javë para dorëzimit e jo më vonë se tre javë nga data pas dorëzimit të tij.
Data 6 gusht është llogaritur në bazë të këtij kalendari. Data 6 gusht nuk është tekë e Partisë Demokratike, është respektim i rregullores së Parlamentit, të cilën e kemi votuar bashkë. Data 6 gusht është data që e solli Partisë Demoktatike përsëri në terrenin e kompromisit për të votuar variantin e propozuar, të komentuar dhe të përmirësuar mbi komentet e saj, nga opozita. Unë nuk shoh asnjë arsye se pse data 6 gusht nuk duhet të jëtë data kur ne mund të bashkojmë votat tona për heqjen e imunitetit.
Shtatori nuk është muaj e kohë e lirë. Vendimet në Komisionin Evropian nuk kanë lirshmërinë për t’u menduar e rimenduar sipas ndryshimit të humorit dhe tekave të Edi Ramës. Ne do të votojmë në datën 6 gusht heqjen e imunitetit, si një shprehje e vullnetit të kësaj maxhorance, për të pasur zyrtarët e lartë të këtij vendi, gjyqtarët e këtij vendi pa imunitet dhe të gjithë të barabartë para ligjit. E sigurtë është që heqja e imunitetit nuk është i vemti detyrim në luftën kundër korrupsionit, por ju siguroj se në një monitorim të ngushtë me Komisionin Evropian rezulton se të gjitha detyrimet, pjesë e 12 rekomandimeve dhe të gjitha detyrimet që janë brenda pikës së luftës kundër korrupsionit, i janë afruar përmbushjes së masës kritike.
Nëse Edi Rama kërkon ta mbajë përsëri peng këtë vend për një axhendë të ngushtë personale, jam e sigurtë se humbja e tij në 2013 do të jetë edhe më e madhe sesa ajo që ka përjetuar në 2011 e me rradhë.

KOMENTE