English

Përfundojnë kërkimet e mbetjeve mortore në fshatin Zhilivodë

Me ftesë të Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, sot më 2 gusht 2012, përfaqësuesit e institucioneve vendore e ndërkombëtare të përfshira në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, kanë vizituar fshatin Zhilivodë-Komuna e Vushtrrisë, me rastin e përfundimit të gërmimeve vlerësuese në kërkim të mbetjeve mortore në lokacionin e shënjuar në këtë fshat.

Pas një pune intensive, të më shumë se njëzet javë punë, që nga data 31 gusht 2010, të realizuar më profesionalizëm dhe përkushtim nga ana e Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkërendim të plotë me ekspertët e EULEX-it dhe ekspertët vendor, në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore (DML) dhe, me mbështetjen e plotë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH), gjegjësisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komunës së Vushtrrisë dhe Policisë së Kosovës – Stacionit në Vushtrri, dhe partnerëve tjerë të përfshirë në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, sot është konfirmuar përfundimi i gërmimeve në këtë lokacion.

Nga ana e përfaqësuesve të institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe ekspertëve të EULEX-it, është bërë e ditur se përkundër punës dhe angazhimit të madh në këtë lokacion nuk janë gjetur mbetje mortore e as gjurmë të ndonjë varreze masive.

Me këtë rast, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, theksoi se ‘gjatë tërë kohës së realizimit të këtij projekti ne u ballafaquam me sfida të ndryshme, disa prej të cilave erdhën nga natyra dhe disa të tjera të natyrës teknike dhe faktorit njeri. Më duhet të them se operacioni i gërmimit vlerësues të këtij lokacioni është shembull i një procesi transparent i kërkimit të mbetjeve mortore në rajon. Kjo është vizita e katërt e përbashkët në këtë lokacion. Kur kemi parasysh këtë fakt, duket tërësisht i pakuptim, absurd dhe i panevojshëm politizimi i skajshëm i rënies së zjarrit në këtë lokacion para do kohe’. Prenkë Gjetaj, po ashtu theksoi gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të trajtojë çdo informatë të besueshme për vendndodhjen e varrezave të mundshme, të jashtëligjshme, në tërë territorin e Kosovës.

‘Ne jemi të gatshëm të angazhojmë të gjitha resurset në dispozicion me qëllim të zbardhjes sa më të shpejtë të fatit të të gjithë personave të zhdukur. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe shpresojmë që kjo gatishmëri e jona dhe kjo përpjekje e jashtëzakonshme në këtë lokacion të reflektojë me reciprocitet nga pala e Beogradit. Ne insistojmë që sa më shpejtë të fillojnë aktivitetet gërmuese në rajonin e Rashkës’ theksoi ai.

Ndërsa përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Krassimir Nikolov, koordinator për zhvarrime/ekspert nga radhët e EULEX-it dhe Arsim Gërxhaliu, Drejtor i DML-së/ekspert mjekoligjor dhe, përfaqësuesit e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Zymer Halimi dhe Nënkolonel Zejnë Prokshi, prezantuan punën profesionale të realizuar në tri faza, në këtë lokacion, që nga data 31 gusht 2010.

‘Për shkak të karakteristikave të lokacionit është dashur që të hulumtohet e tërë zona, që ishte përcaktuar me urdhëresë gjyqësore. Aty nuk u gjetën mbetje mortore të njerëzve” tha Nikolov, duke shtuar se ’zjarri i fundit që e përfshiu këtë lokacion në Zhilivodë nuk ka mundur ta shkatërrojë ndonjë dëshmi të mundshme meqë zjarri ishte vetëm sipërfaqësor.’

Ndërsa, Dr. Gërxhaliu, shtojë se ky rast, përkatësisht puna që është kryer në këtë lokacion, është një nga rastet e rralla në botë. ‘Mund ta quajmë si një rast unik në botë, që në një hapësirë kaq të madhe dhe në një thellësi deri në 25 metra, të gërmohet dhe të punohet në kërkim të mbetjeve mortore’, theksoi Gërxhaliu.

Kurse përfaqësuesit e Forcës së Sigurisë së Kosovës, prezantuan në hollësi punën dhe angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përkatësisht pjestarëve të Batalionit të Xhenios, në tri fazat e ‘projektit humanitar- gërmimi në Zhilivodë’, në respektim dhe mbështetje të kërkesës dhe vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryesuesi i Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në emër të Qeverisë së Kosovës, falënderoi dhe përshëndeti të gjithë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave vendore e ndërkombëtare, që ishin sot të pranishëm në Zhilivodë dhe që mbështeten projektin e Zhilivodës dhe, në përgjithësi, punën e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur, gjatë luftës së viteve 1998 –’99, si: Batalionin e Xhenios të FSK-së dhe tërë stafin e Ministrisë së FSK-së; ekspertët vendorë dhe ekspertët e EULEX-itë në kuadër të DML-së dhe Komponentin e Drejtësisë së EULEX-it; Njësitin e Policisë së Kosovës dhe Policisë së EULEX-it, për Hetimin e Krimeve të Luftës ; përfaqësuesit e Forcës së Kosovës (KFOR-it), gjegjësisht NATO-së ; Komunën e Vushtrrisë ; Stacionin Policor të Komunës së Vushtrrisë ; Kryesuesen e Grupit Punues për Persona të Zhdukur dhe përfaqësuesit e Delegacionit të Beogradit, në kuadër të këtij Grupi Punues ; Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq; Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur; përfaqësuesin e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara ; përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian, në Prishtinë; përfaqësuesit e ambasadave dhe zyrave diplomatike në vendin tonë, si Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Zyrën Diplomatike të Mbretërisë së Belgjikës, Ambasadën e Zvicrës dhe Zyrën Ruse në Prishtinë; përfaqësuesit e familjarëve të personave të zhdukur, përkatësisht Shoqatave Familjare nga Kosova dhe Serbia; përfaqësuesit e medieve ; dhe gjithë banorët e fshatrave Zhilivodë dhe Bivolak për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë këtyre ditëve

KOMENTE