Intervista e Kryetarit të PS, Edi Rama, dhënë për Top Channel:
Zoti Rama çfarë do të bëjë Partia Socialiste në datën 6 gusht? A do të votoni nismën për heqjen e imunitetit apo do t'i qëndroni pozicionit tuaj?
Partia Socialiste nuk do të votojë në 6 gusht. Arsyeja është shumë e thjeshtë, kemi rënë dakort për variantin e diskutuar mbi bazën e propozimit tonë, e kemi votuar në komisionin e ligjeve dhe do të votojmë kur të gjitha propozimet për ndryshimet kushtetuese të kenë kaluar në filtrin e diskutimeve dhe në mënyrë transparente të jenë ndarë me të gjithë publikun dhe kur në një seancë të vendosur së bashku, këto të kalojnë edhe në procesin e votimit.
Në fakt sipas mazhorancës paketa juaj kushtuese që përfshin edhe zgjedhjen me shumicë të cilësuar të krerëve të institucioneve apo të Gjykatës Kushtetuese apo të Gjykatës së Lartë, është vetëm një alibi, të themi, për të shmangur votimin e heqjes së imunitetit. Sa qëndron kjo sipas jush?
Fatkeqësisht një alibi e habitshme po bëhet imuniteti për kryeministrin. Ai ankohet se nuk hap dot vende pune për shkak se e pengon imuniteti, nuk ndihmon dot më të varfrit për shkak se e pengon imunitetit, nuk lufton dot korrupsionin dhe krimin e organizuar për shkak se e pengon imuniteti. Tanimë është para syve të të gjithëve se kryeministri gati sa nuk thotë që ç’faj kam unë që nuk bëj dot detyrën time, unë një kryeministër jam, s’kam gjë në dorë, opozita më pengon. E vërteta është që kufizimi i imunitetit është vetëm pjesë e një procesi shumë më të gjerë që ka të bëjë me një reformë të thellë në drejtësi, e cila sot e gjithë ditën mungon. Dhe që duhet të nisë, sipas nesh, me një sërë ndryshime kushtetues që i kemi propozuar për të fuqizuar sistemin e drejtësisë dhe për ta shkëputur atë nga kontrolli i partisë-shtet.
A i druheni zoti Rama edhe një keqpërdorimi në momentin kur të hiqet ky imunitet, po marrim një rast hipotetik nëse ky imunitet do të kalonte pa këtë paketë kushtetuese, a do të keqpërdorej duke marrë parasysh që mund të kemi një kryeprokuror të një anshëm?
Në radhë të parë këtu nuk bëhet fjalë për ne. Unë personalisht nuk kam imunitet, nuk kam pasur kurrë, por ndërkohë edhe gjithë deputetët e PS kanë dëshmuar në vijimësi se imuniteti nuk është mburoja e tyre përpara asgjëje. Këtu bëhet fjalë për të ndarë rrugën ku do të shkojë vendi; Drejt uzurpimit të plotë të të gjitha pushteteve dhe nënshtrimit përfundimtar të sistemit të drejtësisë nën qeverinë, apo drejt ndarjes së këtyre pushteteve dhe krijimit të kushteve për një sistem drejtësie që të bëjë drejtësi. Ne jemi për këtë të dytën. Ata që sot keqqeverisin, apo siç e thotë Konica ç’qeverisin Shqipërinë, janë për të parën. Ky është një ndryshim themelor.
Data 6 gusht iku. Në rastin që nuk do të bihet dakort për këtë paketë të propozuar nga ju ndryshimesh kushtetuese, çfarë ndodh? Do të vijojmë me këtë ngërç edhe në shtator?
Data 6 gusht nuk përfaqëson asgjë, nuk është asnjë datë historike, as një datë simbolike. Është një datë e vendosur arbitrarisht duke, në fakt, copëtuar në mes një proces që duhet të jetë i plotë dhe integruar. Procesi i diskutimit të ndryshimeve kushtetuese bazuar në propozimet që janë në tryezë. Të gjitha këto propozime duhet të diskutohen dhe pastaj duhet të votohen. Ne nuk votojmë edhe në gusht edhe në shtator për të ndryshuar Kushtetutën, nuk ia lejojmë vetes një gjë të tillë. Ne do të votojmë njëherazi dhe sigurisht për gjërat që kemi rënë dakort do të votojmë pro.
Mendoni se ky ngërç e rrezikon marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë?
Unë mendoj se statusi është rrezikuar shumë seriozisht për një sere arsyesh, në një proces gjatë gjithë këtij viti, ku të gjithë e kanë parë se opozita ka bërë me përkushtimin më të madh detyrën e vet, me një qasje konstruktive, përpjekje të jashtëzakonshme dhe me një kosto të marrë me vetëdije në politikën e ditës në funksion të së ardhmes së përbashkët të vendit, ndërkohë që qeveria ka dështuar me luftën ndaj korrupsionit, është qartësisht e implikuar siç thotë edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit me krimin e organizuar, ka dështuar me pronat, ka dështuar me administratën publike dhe mbi të gjitha ka dështuar me drejtësinë. Një kapak në këtë dështim ka qenë edhe zgjedhja e njëanshme e Presidentit të Republikës. Megjithatë deri në fund ne do bëjmë gjithçka kemi në dorë që Shqipëria në tetor të mos turpërohet.