English

Segmenti rrugor Levan-Damës, vihet në funksionim të plotë

Segmenti rrugor Levan-Damës prej 38 kilometra, pjesë e superstradës Levan - Tepelenë, nga dita e sotme vihet në shfrytëzim të plotë për përdoruesit. Ceremonia e inaugurimit të përfundimit të punimeve për këtë segment të rëndësishëm të infrastrukturës rrugore kombëtare, u zhvillua sot paradite, në prani të Kryeministrit Berisha. Gjithashtu, në këtë ceremoni ishte i pranishëm Ministri i Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit Sokol Olldashi, anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë të zonës, etj.

Gjatë përshëndetjes së tij në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha vlerësoi se përfundimi i kësaj superstrade përbën ndryshimin më rrënjësor në historinë e zhvillimit të Tepelenës, Gjirokastrës, Përmetit, Sarandës e zonave të tjera dhe realizon ndërtimin e një prej rrugëve më të bukura të Shqipërisë.

Superstrada Levan – Tepelene është pjesë e Korridorit Veri – Jug dhe ka një gjatësi totale prej 70 km, një investim prej 70 milionë euro, financuar nga BERZH/BEI. Kjo superstradë është e ndarë në dy seksione: Levan –Damës, përfundimi i të cilës inaugurohet sot dhe Damës – Memaliaj që pritet të përfundojë së shpejti.

Segmenti rrugor Levan-Damës është realizuar me një investim prej 42 milionë euro. Ai ka një gjatësi prej 38 kilometra, gjerësi 10.5 metra, superstradë me 2x1 kalime. Ky segment shkurton me rreth 30 minuta rrugën nga Fieri në Fratar dhe me rreth 1 orë rrugën Fier – Memaliaj. Në këtë seksion rrugor janë ndërtuar 15 ura, me gjatësi totale prej afro 500 m dhe 35 vepra të tjera.

Segmenti rrugor Levan-Damës përfaqëson një superstradë të standardit evropian të rrugëve nacionale interurbane, një nga infrastrukturat më moderne dhe më panoramike të vendit, e cila shërben për tranzitimin e trafikut të njerëzve dhe mallrave, përgjatë korridorit kombëtar Veri-Jug, në kushte të sigurisë dhe komoditetit më të lartë. Me vënien e plotë në shfrytëzim, në fund të vjeshtës, edhe të segmentit tjetër Damës-Memaliaj, prej 25 km, përfitimet në aspektin e vlerës së kohës, sigurisë dhe amortizimit të mjeteve, do të maksimizohen më tej.

Për sa u përket investimeve të bëra nga qeveria, këto vite, në qarqet Fier, Vlorë e Gjirokastër, rezulton se në këto 3 qarqe janë investuar 1.8 miliardë dollarë, janë ndërtuar 1400 km rrugë, me një vlerë 700 milionë dollarë, 565 km rrugë kombëtare dhe 835 km rrugë rajonale e rurale, ndërsa 200 km janë autostradë, pjesë të korridorit Jug – Veri, me vlerë 280 milionë dollarë. Këtu përfshihen autostradat Lushnjë –Fier, Levan – Vlorë, superstradat Levan – Tepelenë, Gjirokastër – Tepelenë, Kardhiq – Delvinë dhe Sarandë (Kranë) - Qafë Botë. Gjithashtu, janë ndërtuar 210 shkolla e kopshte, 280 sisteme të ujit të pijshëm e kanalizime, 177 qendra shëndetësore e ambulance. Janë restauruar 80 objekte të trashëgimisë. Janë subvencionuar 4600 hektarë me ullinj, dru frutorë sera e vreshta. Janë investuar 700 milionë dollar për fuqizimin e rrjetit dhe rehabilitimin e nënstacioneve elektrikë të qarkut, si dhe në ndërtimin e TEC dhe HEC –ve të rinj.

KOMENTE