English

Koru: Turqia do të përkrahë Kosovën pa kursyer asgjë

Zëvendëskryeministrja e Republikës se Kosovës, znj. Edita Tahiri ka pritur sot në takim, Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Naci Koru.

Gjatë këtij takimi u vlerësuan shumë lartë marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve, si dhe u çmuan potencialet e të dy shteteve për ti thelluar edhe më shumë këto marrëdhënie.

Znj. Tahiri, me këtë rast tha se prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2012 janë, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, qeverisja e mirë dhe forcimi i sundimit të ligjit, zhvillimi i kapitalit njerëzor, dhe rritja e mirëqenies sociale. Ndërsa, si rezultat i të arriturave Kosova ka marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave nga BE, si dhe ka krijuar marrëdhënie zyrtare me BE-në. Znj. Tahiri tha se vendi ynë ka zhvilluar strategjinë e saj e cila gjithashtu ofron marrëdhënie të veçanta e të thella me Shtetet e Bashkuara, vendet e BE-se dhe shtetet e rajonit, duke përfshirë në mënyrë të veçantë, Turqinë.

Ajo njoftoi gjithashtu për përgatitjet e reformave kushtetuese të lidhura me procesin e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrjes.

Nga ana tjetër, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Naci Koru, vlerësoi lartë reformat strukturore që i ka ndërmarrë Kosova në ekonomi, politikë dhe legjislacion.

Në këtë kuadër u tha se Turqia mund të ndihmojë shumë Kosovën në synimet e saj, duke rritur numrin e njohjeve dhe duke përkrahur Kosovën në rrugën e saj evropiane përmes investimeve ekonomike.

Zëvendësministri turk, Koru, tha se shteti i Turqisë do të përkrah Kosovën pa kursyer asgjë dhe se lobimi i shtetit të tij për të njohur sa me shumë shtetin e Kosovës nuk do të ndalet. Ai me tej ka shtuar se për Turqinë sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është i pa cenueshëm dhe Kosova meriton njohje të plotë ndërkombëtare.

Ndërkaq, në fushën ekonomike zëvendësministri turk tha se Turqia ka bërë disa investime të rëndësishme, por se ato do të shumëfishohen në periudhat në vazhdim. Gjatë takimit u tha se ka mjaft fusha për të bashkëpunuar, duke filluar nga arsimi, turizmi, energjia dhe fusha të tjera të rëndësishme.

Në fund u vlerësua kontributi i paharruar dhe shumë i çmuar i komunitetit turk dhe atij shqiptar të cilët jetojnë në të dy vendet, duke ndihmuar në forcimin e një bashkëpunimi të mrekullueshëm mes dy shteteve.

KOMENTE