Lidhur me situatën në veri të Kosovës, Mark Ellis, analist ndërkombëtar, njëherësh, drejtor i Asociacionit Ndërkombëtar të Avokatëve ka dhënë një intervistë për Radion Evropa e Lirë e cila jepete e plotë mëposhtë:
“Mendoj, se fatkeqësisht ekziston rrezik i theksuar për ndarje. Dhe them fatkeqësisht sepse mendoj se shteti i unifikuar, me veriun e integruar është gjëja më e mirë për vendin. Por, fakt është se kur shikoni shumicën e serbëve në pjesën veriore, ata thjesht refuzojnë qeverisjen e Prishtinës”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mark Ellis, analist ndërkombëtar, njëherësh, drejtor i Asociacionit Ndërkombëtar të Avokatëve.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ellis, Serbia ka tashmë një qeveri të re, ndërsa çështjet e lidhura me Kosovën mbesin të paqarta, siç është dialogu. Me një president që konsiderohet nacionalist dhe një kryeministër që është ish zëdhënës i regjimit të Millosheviqit, si i shihni raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë në ditët apo javët e ardhshme?
Mark Ellis: Mendoj se presidenti Nikolliq tashmë e ka bërë të qartë se Kosova përbën për të një çështje dhe se nuk do t’i njohë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar në vendosjen e themeleve të Kosovës dhe nuk do ta njohë pavarësinë që është njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, por jo nga të gjitha shtetet.
Zgjedhjet e reja kanë bërë që raportet mes Kosovës e Serbisë të jenë negative. Por, unë shpresoj se dëshira e vazhdueshme e Serbisë që të jetë e integruar në Evropë do të bëjë që t’i kërkohet Serbisë dhe qeverisë së saj që të vazhdojë të punojë drejt pranimit të kushteve që janë në të mirë të raporteve të mira mes Kosovës e Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, në ditët e fundit kemi parë deklarata të tensionuara të liderëve në Beograd, derisa Nikolliq tha se serbët në Kosovë janë nën kërcënimin e gjenocidit. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar po kërkon dialog. A është i mundur dialogu në një atmosferë të tillë tensionuese?
Mark Ellis: Është më vështirë të ketë dialog, kur keni një president që nuk e njeh legjitimitetin e Kosovës si shtet. Megjithatë mendoj se dëshira e Serbisë që të integrohet në BE do të bëjë që të kërkohet nga ajo të jetë shumë më e hapur në planin afatgjatë për vazhdimin e dialogut.
Prandaj, mendoj se komentet e presidentit Nikolliq në plan afatshkurtër nuk janë të mira për bashkëpunimin, që duhet ta kemi në rajon, por në plan afatgjatë komuniteti ndërkombëtar nuk do të kthehet ku ka qenë më herët dhe do të bëjë presion ndaj Serbisë që të ketë dialog pozitiv me Kosovën për të zgjidhur disa çështje të lëna pezull. Mendoj se deklaratat si ajo për gjenocid janë të gabueshme dhe nuk ndihmojnë për këtë lloj dialogu që duhet ta zhvillojnë dy shtetet.
Mendoj se është më vështirë tash të zhvillohet një dialog, derisa kemi deklarata nacionaliste të qeverisë së re të Serbisë. Por, besoj se ekziston një trend më pozitiv, që e kemi parë në vitet e fundit, i cili sugjeron se në planin afatgjatë, Serbia duhet ta pranojë legjitimitetin e Kosovës, duhet ta pranojë Kosovën si fqinje dhe është më mirë që të ketë këso lloj raportesh. Mendoj se kjo do të ngadhënjejë në planin afatgjatë. Por, në planin afatshkurtër do të kemi lëkundje për shkak të pozicionit aktual të qeverisë serbe kundrejt Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ellis, pas mendimit të GJND-së, shumë ishin optimistë për njohjet e reja të Kosovës. Por, kjo çështje u duk më e komplikuar në praktikë. Çka shkoi gabim dhe nuk pat njohje të mëdha?
Mark Ellis: Mendoj se vendimi ka qenë kundërthënës. Unë mendoj dhe e kam thënë edhe publikisht në atë kohë se bazuar në ligjet ndërkombëtare ka qenë vendim i drejtë, sikurse edhe për arsye politike, që Kosova të njihet si shtet i pavarur.
Por, fakt është se ka pasur shtete që edhe para vendimit të GJND-së nuk e kanë parë pavarësinë si opsionin më të mirë për Kosovën. Prandaj, mendoj se do të marrë më shumë kohë për shtetet tjera që ta njohin Kosovën si shtet të pavarur. Por, fakt është që Kosova është shtet i pavarur, e njohur si e tillë dhe ka aleatë të fuqishëm dhe mendoj se ky është një udhëtim, udhëtim i gjatë, por i qartë i Kosovës.
Mendoj se në fund do të ketë shtete tjera që do vazhdojnë ta njohin Kosovën por mendoj se Kosova duhet t’i ndihmojë vetes duke treguar se po adapton dhe përqafon parimet demokratike dhe t’i tregojë botës se mund të jetë anëtare produktive dhe aktive e komunitetit ndërkombëtar.
Radio Evropa e Lirë: A po e ndihmon veten Kosova?
Mark Ellis: Mendoj se ka probleme në zhvillimet e Kosovës, kjo mund të shihet në rolin e gjyqësorit, që është si udhëzues në lëvizjen drejt një shoqërie më demokratike, më të sigurt, të një ambienti të orientuar nga tregu.
Kosova po ecën në tranzicionin e njëjtë sikurse shtetet tjera në rajon. Mendoj se ka disa shenja shpresëdhënëse në lidhje me këtë, por ka probleme tepër të mëdha në Kosovë sa i përket korrupsionit, ndërhyrjeve politike në të gjitha nivelet.
Radio Evropa e Lirë: Katër vjet pas pavarësisë, dy vjet pa vendimit të GJND-së, vëmendja sërish është kthyer drejt veriut. Asnjë plan nuk është zbatuar atje dhe qyteti mbetet i ndarë. Disa po kërkojnë dialog politik për pjesën veriore të Kosovës. Si e shihni zgjidhjen dhe a ka rrezik për ndarje?
Mark Ellis: Mendoj, se fatkeqësisht ekziston rrezik i theksuar për ndarje. Dhe them fatkeqësisht sepse mendoj se shteti i unifikuar, me veriun e integruar është gjëja më e mirë për vendin. Por, fakt është se kur shikoni shumicën e serbëve në pjesën veriore, ata thjesht refuzojnë qeverisjen e Prishtinës.
Ata qeverisin vetë. Mendoj se kjo është problematike dhe nuk është një përqindje e vogël, por një masë dominuese e serbëve në veri që ndjehen në këtë mënyrë dhe kjo sugjeron se atje do te ketë mungesë të unitetit shoqëror, mungesë stabiliteti dhe kjo ndodh në shumë zona konflikti, në mjediset e pas konfliktit dhe është joreale të mendohet, bazuar në historinë rajonale, në historinë e Kosovës, të Serbisë, se këto probleme do zgjidhen brenda nate.
Mendoj se do të duhet gjenerata për t’i zgjidhur tërësisht. Nuk mendoj se ndarja është hequr nga tryeza. Unë do të preferoja që të ketë një unitet social, por historia e rajonit sugjeron se kjo është vështirë e arritshme.
Radio Evropa e Lirë: Si të shmanget një gjë e tillë?
Mark Ellis: Ky po bëhet një proces, siç ndodh në mjediset e pas konfliktit ku nacionalitetet e ndryshme kanë kryer krime ndaj njëri-tjetrit. Ky është një proces shumë i vështirë për t’u tejkaluar, një histori shumë e vështirë për t’u tejkaluar.
Merr kohë dhe investime. Duhet bërë hapa të vogël në përpjekje për të gjetur mënyrat për të bashkëpunuar. Është një beteje e vështirë dhe e madhe për shkak të ndasive brenda vendit dhe komuniteteve. Nëse më pyetni se a do të ketë sukses në plan afatshkurtër do të them jo.
Por, megjithatë, unë mbetem optimist dhe gjithnjë besoj në aftësinë e njerëzve që eventualisht të gjejnë format për t’u bashkuar duke u bazuar në respekt dhe humanizëm. Historia e rajonit tregon se ky nuk do të jetë një proces i lehtë, por mendoj ia vlen përpjekja.