English

Topalli shtron Iftar me rastin e muajit të Ramazanit

Me rastin e muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli shtroi dje Iftar në emër të Kuvendit të Shqipërisë, ku ishin të ftuar përfaqësues të komuniteteve fetare, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe besimtarë myslimanë.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, duke i uruar mirëseardhjen të ftuarve, vlerësoi Muajin e Ramazanit si një muaj të madhërueshëm, muaj gëzimit, muaj mendimi dhe reflektimi, muaj sakrifice.
"Unë jam e kënaqur që tashmë Kuvendi i Shqipërisë e ka bërë një traditë për të shtruar Iftarin, për të qenë të gjithë bashkë, për të falënderuar Zotin që jemi mirë dhe që na bën të reflektojmë se ka të tjerë që kanë nevojë për mendimin tonë, për veprën tonë, për veprimin tonë - tha Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
D uke vlerësuar sakrificën e besimtarëve gjatë muajit të madhërueshëm të Ramazanit Kryeparlamentarja Jozefina Topalli u shpreh se: “Agjërimi është jo vetëm një moment mendimi dhe reflektimi, por mbi të gjitha është një moment, i cili i drejtohet atyre që janë në nevojë, që janë të sëmurë, atyre që nuk kanë, atyre që janë pa vëmendjen e të tjerëve. Është muaji i gëzimit, për të adhuruar familjen, për të dashur, të afërmit dhe miqtë, për të ndihmuar këdo që është në nevojë. Kudo në botë festohet ky muaj. Kudo në botë shtrohen Iftare për të nderuar sakrificën.”
Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muça, duke falënderuar Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli shprehu falënderimet e përzemërta që Kuvendi i Shqipërisë e ka bërë traditë që çdo vit shtron Iftarit, e respekton, nderon Muajin e Madhërishëm të Ramazanit.
“Është lumturi dhe një shans i madh për popullin Shqiptar kur institucionet kryesore të vendit , siç është Kuvendi i Shqipërisë shtrojnë Iftar, e respektojnë dhe e nderojnë Muajin e Madhërueshëm Ramazanit. Është kënaqësi që vlerësohet ky muaj. Ky është muaji i mëshirës dhe i faljes”, u shpreh z.Selim Muça.

KOMENTE